Një dietologe ka zbuluar se si ushqimet e shpejta dhe të pashëndetshme mund të ju pengojnë që të bëni gjumë të shëndetshëm.
Dietologia Carrie Gabriel ka përmendur disa ushqime – përfshirë edhe picat – që mund të ju mbajnë zgjuar gjatë natës, raporton “The Sun”.
Ajo po ashtu përmendi gabimet që shpesh njerëzit i bëjnë para se të shkojnë në shtrat.
Nëse hani shumë ushqim para se të shkoni në gjumë, atëherë mund të jetë e vështirë ta tretni dhe kjo çon deri te refluksi acidik.
“Njerëzit me një formë më kronike të refluksit acidik mund të kenë më tepër probleme me gjumë”, tha Gabriel për “Everyday Health”.
Refluksi acidik është kur muskujt poshtë ezofagut nuk funksionojnë si duhet dhe lejojnë ushqimin nga stomaku të kthehet prapë lartë.
Nëse shtriheni pasi hani shumë ushqim – si dhe nëse konsumoni ushqime të caktuara – mund të bëjë gjendjen më rëndë.
Në mesatare, të rriturit duhet të kenë shtatë deri nëntë orë gjatë natës.
Duhet të kontrolloni nëse ushqimet që po konsumoni po pengojnë gjumin tuaj. Por, duhet cekur se trupi dallon dhe ushqimet që ndikojnë te një njeri mund të mos ndikojnë te një tjetër.
Dietologia Gabriel tregon disa prej ushqimeve që mund të ndikojnë në gjumin tuaj.
Pica
Ushqimi i pashëndetshëm i përpunuar sigurisht se nuk do t’ju bëjë favor sa i përket gjumit.
Pica është veçanërisht e rëndë – pasi ka yndyra të ngopura dhe natrium.
“Ushqimet që kanë sasi të madhe të yndyrave të ngopura duhet evituar gjatë natës – si shembull, gjalpi, akullorja apo ushqimet e skuqura si patatet e skuqura”, thotë dietologia Gabriel.
Një studim i publikuar në janar të vitit 2016 në Journal of Clinical Sleep Medicine ka zbuluar se 26 të rritur me peshë normale, të cilët zakonisht flinin shtatë deri nëntë orë gjatë natës, pasi konsumuan ushqime me yndyra të ngopura gjatë ditës, patën gjumë më pak të rehatshëm.
Dietologia tjetër Bonnie Taub-Dix, tha: “Shumë ushqime të përpunuara janë gjithashtu të kripura, gjë që mund t’ju bëjë të zgjoheni gjatë natës për të kërkuar diçka për të pirë”.
Smoothiet
Nëse konsumoni shumë sheqer atëherë mund të çojë te probleme të shumta shëndetësore – përfshirë diabet, mbipeshë, shtypje të lartë të gjakut dhe po ashtu mëlçi të dhjamosur. Po ashtu mund të ndikojë edhe në gjumin që bëni.
Dihet se evitimi i çokolatave, krofneve, tortës, ëmbëlsirave dhe pijeve me sheqer para gjumit mund të ndihmojnë, po ashtu ndihmon edhe evitimi i smoothiet, ndonëse mund të ju duket si diçka e shëndetshme nëse konsumoni para gjumit.
Një hulumtim i BMJ Open i publikuar në mars të vitit 2016, ka zbuluar se pakot e zakonshme të smoothieve kanë më tepër sheqer sesa një lëng i pemëve. Rreth 40 për qind e produkteve të testuara janë zbuluar se kanë katër lugë çaji me sheqer.
“Sheqeri luan rol të madh në aspektin shëndetësor, kështu që nuk është befasuese të shihet në mesin e produkteve ushqimore që duhet t’i evitoni para gjumit”, thotë dietologia Taub-Dix.
Ajo thotë se sheqeri i rafinuar mund të ndikojë në rritje rapide të nivelit të glukozës në gjakun tuaj, që çon te rritja e adrenalinës. Kjo si rezultat ju mban zgjuar.
“Nëse jeni të uritur para gjumit, karbohidrate komplekse apo proteina është zgjedhje më e mirë, si një tost apo banane me jogurt grek”, thotë dietologia Gabriel.
Bananet janë zgjedhje e mirë para ushqimit pasi kanë sasi të lartë të potasiumit, magnezit dhe fibrave, të gjitha që ndihmojnë në gjumë më të rehatshëm, sipas një studimi të publikuar në shkurt të vitit 2019 në revistën Cureus.
Djathi
Derisa proteina në djathë ofron tritofan – një aminoacid që mund të ndihmojë në relaksim dhe gjumë, dietologia Gabriel thotë se jo të gjitha djathërat mund të kenë këtë efekt.
Djathërat si çedar, gruyere, dhe parmezan, përmbajnë sasi të lartë të aminoacidit të njohir si tiraminë, që rrit nivelin e të rrahurave të zemrës, sipas Klinikës Mayo.
“Nëse shikoni për diçka kremoze para gjumit, atëherë më mirë provoni gjalpë me bajame në disa krakera në vend të kësaj”, thotë Gabriel.
Këto ushqime përmbajnë magnez, që hulumtuesit thonë se ndihmon për ta luftuar pagjumsinë.
Sosi i djegës
Ushqimet e djegësa po ashtu mund të shkaktojnë refluks acidik.
“Refluksi acidik ka më tepër gjasa të ndodhi gjatë gjumit, kur jeni shtrirë, në të cilën kohë një miks i acidit të stomakut dhe ushqimit që po tretet mund të kthehen lartë nëpërmjet ezofagut. Shumë njerëz thonë se ngrënia e ushqimit të djegës ka këtë efekt edhe gjatë ditës, lëre më natën”, thotë dietologia Taub-Dix.
Pra, të gjithë që preferojnë ushqim me sosa të djegës, atëherë të mos e konsumojnë atë së paku tri orë para se të vendosni të flini.