Rasti i ri me koronavirus në Vushtrri, zyrtarët e Komunës japin detaje

Janë konfirmuar edhe 14 raste të reja me COVID19 në Kosovë. Sipas IKSHPK-së, rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 9 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Gjilan dhe 1 rast Livoç i epërm), komuna e Prizrenit 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prizren) dhe me 1 rast vendbanimet: Pejë, Studime e epërme-Vushtrri dhe Prishtinë.

E në lidhje me rastin në Vushtrri, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Sylejman Meholli.

Ky është postimi i tij:

Të dashur qytetarë të Vushtrrisë

Një muaj pas rasteve të fundit, armiku i fshehtë, virusi Covid 19 është rishfaqur në qytetin tonë.

Sot, një qytetar i Vushtrrisë i lindur në vitin 1949, nga Studimja e Epërme është referuar nga shërbimi i urgjencës në QMF 1, si rast i dyshuar për Covid 19, për në kliniken infektive.

Pas testimeve në IKSHPK i njëjti ka rezultuar pozitiv. Gjurmimet epidemiologjike për këtë rast kanë filluar dhe në bashkëpunim me IKSHPK do të testohen kontaktet e këtij rasti.

E kemi thënë vazhdimisht se nuk ka vend për relaksim, Shtabi Emergjent ju apelon që të mbani distancën, të përdorni mjetet mbrojtëse/maskat dhe të kujdesemi e të ruajmë njëri tjetrin.