Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 34 raste të reja me koronavirus në Kosovës. Në total numri i të prekurve me COVID-19 ka shkuar në 703.
“Sot më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e katër (34) raste”, ka bërë të ditur IKSHPK-ja.
Rastet pozitive, sipas IKSHPK-së, janë raste kontakti. “Pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Gjilanit (sipas vendbanimit: shtatë (7) raste Gjilan, shtatë (7) raste Livoç i epërm dhe një (1) rast Kosaçë), gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: pesë (5) raste Prizren dhe një (1) rast Gërnçar), pesë (5) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Mirash dhe një (1) rast Ferizaj), dy (2) raste me vendbanim në Rahovec, dy (2) raste nga komuna e Dragashit ( sipas vendbanimit një (1) rast Zaplluzhë dhe një (1) rast Plavë) dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Prishtinë, Skenderaj, Lladrovc-Malishevë dhe Zveçan”.
Po ashtu sot IPKSHPK-ja ka treguar se janë shëruar edhe tre (3) pacientë. “Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e gjashtëdhjetë e dy (162) raste”.
Nga data 08 shkurt deri më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.890 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e tre (703) raste, ndërsa gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.