Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar letër për të pestën herë kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurtit, në të cilën përfundimisht ka konstatuar se me veprimet e tij, lideri i VV-së nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të propozimit të kandidatit të ri për ta formuar Qeverinë e re. Por lidhur me këtë letër, nga Vetëvendosje thonë se ky është një sulm brutal ndaj rendit kushtetues.
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, tha për GazetaBlic se presidenti Thaçi përmes kësaj letre, duke i dhënë mundësinë partive tjera për formimin e qeverisë, e ka shkelur rëndë kushtetutën
“Kjo është shkelja më e rëndë e kushtetutës, sulm ndaj rendit kushtetues, e shkatërron sistemin politik, sulm brutal ndaj rendit kushtetutës”.
Bajqinovci u pyet nëse Vetëvendosje do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Thaçi, i cili do të fillojë nga ora 16:30, por i njëjti tha se nuk ka dijeni për këtë. “Nuk e di për këtë, nuk kam informacion”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.
Përmes kësaj letre, presidenti Thaçi i rikujton Kurtit se në pajtim me mandatin kushtetues të Presidentit të Republikës së Kosovës është përgjegjësi e tij ta ruajë stabilitetin e vendit dhe ta garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.