Hoxhaj: PDK-ja do të jetë në qeveri vetëm kur t’i fitojë zgjedhjet

Enver Hoxhaj, deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së ka thënë në DESK të KTV-së se PDK-ja do të jetë në qeveri vetëm kur t’i fitojë zgjedhjet dhe kur të dalë subjekti i parë dhe “me kushtin e vetëm që PDK-ja ta udhëheqë qeverinë”.

“Pritjet tona janë këto: Nuk hyjmë në qeveri për t’u bërë pjesë e dikujt dhe po punojmë në mënyrë intensive t’i fitojmë zgjedhjet dhe kryeministrin ta ketë PDK-ja”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shtuar se PDK-ja është në kërkim të vetvetes në politikë. “Jemi në komunikim me qytetarë të shtresave të ndryshme, me të rinj, të reja, profesionistë të ndryshëm, derisa ta kemi një kauzë të re politike, një program të ri, një vullnet të qartë se çfarë dëshirojmë të bëjmë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i sigurt që kurdo të mbahen zgjedhjet, PDK-ja do të dëshmohet si subjekt serioz. Por, ka shtuar se ajo për të cilën ka nevojë vendi, nuk është një Qeveri në detyrë.

“Nuk besoj që duhet ta kemi një situatë, kur për muaj të tërë qëndron një Qeveri në detyrë. Në interpretimin tonë të Kushtetutës, zgjedhje nuk mund të ketë”, ka thënë ai.

I pyetur rreth kësaj, Hoxhaj e ka elaboruar: “Jo çdo mocion i mosbesimit nëkupton zgjedhje të reja. Ka një mekanizëm në Kushtetutë të Kosovës ku janë tri situata, ku mund të shkohet automatikisht në zgjedhje të reja. Së pari nëse dështon zgjedhja e Presidenti në tri runde, së dyti nëse dështon formimi i qeverisë në dy runde brenda 60 ditësh dhe së treti nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur ta shpërbëjnë Kuvendin dhe t’i japin fund mandatit të tyre”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka folur edhe rreth dialogut. Ka thënë se ai nuk ka shkuar mirë.

“Prej 2011-tës deri më 2014-tën, eventualisht 2016-tën ka pasur progres në dialog. Prej 2016-tës kur opozita e asokohshme nisi të sillet dhunshëm, t’i përdorë temat e politikës së jashtme për politikë të brendshme… realisht dialogu nuk i ka shërbyer më Kosovës. Por, mendoj që kur je në qeveri, nuk mund të zgjidhësh punët që dëshiron t’i kryesh dhe cilat jo”, ka thënë ai.