Kryetari i zgjedhur i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, u shpreh në “Fronatl” në T7 se fitoren ia dedikon qytetarëve të Vushtrrisë.
“Për mua ka qenë një fitore e pritur, sepse edhe në vitin 2017 kam dal fitues në raundin e parë por pastaj u bënë koalicionet në mes të tri subjekteve politike dhe u përmbys rezultati, sidoqoftë kjo fitore është vullnet i qytetarëve të Vushtrrisë dhe u dedikohet qytetarëve”, tha ai në “Frontal”, transmeton Gazeta Express.
Ferit Idrizi foli edhe për pamjet e mbrëmshme teksa u pa duke u përshëndetur me kundërkandidatin e tij nga LDK-ja, Xhafer Tahiri.
“Sjellje e kulturuar politike, këtë e kemi filluar në vitin 2017 kur i humba zgjedhjet dhe në atë shesh e pata uruar z.Tahiri. Tani z.Tahiri me mirësjellje e riktheu të njëjtën dhe unë i dëshiroj z.Tahiri shëndet dhe suksese në jetë e mirësi në familje”, tha ai.
Idrizi foli edhe për prioritetet e tij si kryetar i Vushtrrisë.
“Puna e parë do të jetë emërimi i drejtorëve, ta skanojmë gjendjen se ku kanë mbetë projektet që janë duke u realizuar, si prioritet kam caktuar edhe në planin tim 55 ditor se do të merrem me ujin e pijshëm në fshatra dhe pjesën e qytetit se ku kanë probleme. Kam në ndërdije ato premtime që ia kam dhënë elektoratit, mbrëmë isha i fokusuar që të kalojë gjithçka në mënyrë festive dhe pa ndonjë incident”, tha Idrizi.