Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të dalë e para në komunën e Gjilanit, me kandidatin e saj Alban Hyseni.
Pas numërimit të 95.36 për qind të votave, Hyseni ka 17.693 vota apo 44.41 për qind ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka 17.517 vota apo 43.97 për qind. E treta është kandidatja e PDK-së, Leonora Morina-Bunjaku. Me 3.227 vota apo 8.10 për qind.
Në Gjilan do të ketë balotazh më 14 nëntor.
Ndërkohë në Podujevë kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, ka arritur të marrë një epërsi ndaj kandidatit të VV-së, Shpejtim Bulliqi.
Hyseni ka 16.451 vota apo 44.30 për qind, kurse Bulliqi ka 16.338 vota apo 44 për qind. Kanë mbetur vetëm edhe 1 për qind të votave për t’u numëruar.
Edhe në këtë komunë do të ketë balotazh.
Burim Berisha i LDK-së nuk ka arritur të fitojë pa balotazh në Fushë-Kosovë për vetëm disa vota. Berisha mori 7842 vota apo 49.96 për qind kundrejt 3.977 votave apo 25.33 për qind të kandidatit të VV-së, Enver Bajçinca, që nënkupton se do të ketë balotazh në këtë komunë.
Sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe ka fituar në 9 prej 10 komunave, sa ishte në garë. E dyta është PDK-ja e cila në raundin e parë fitoi në Skenderaj, Ferizaj, Mitrovicë e Hani i Elezit.
LDK-ja ka fituar në Pejë e Lipjan.
AAK-ja me kandidatët e saj ka arritur ta mbajë pushtetin në Suharekë dhe Deçan.