Në aspektin e shëndetit dhe funksioneve trupore, vitamina A luan rol tejet të rëndësishëm.
Vitamina A ndihmon në përmirësimin e të parit, të sistemit imunitar, riprodhimit, metabolizmit, si dhe funksionimit të zemrës, mushkërive, veshkave dhe trurit.
Por ndikimi i saj nuk përfundon me kaq. Kjo vitaminë ka edhe veti antioksiduese, të cilat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave trupore.
Kjo lloj vitamine mund të merret me anë të ushqimeve të ndryshme, si spinaqi dhe perimet e tjera me gjethe jeshile, me anë të qumështit, djathit, të verdhës së vesë, mëlçisë së viçit, brokolit, kungullit, karotave, pjeprit, mangos dhe kajsive.
Megjithëkëtë, ekspertët këshillojnë që të bëhet kujdes me marrjen e kësaj vitamine me anë të suplementeve. Kjo për shkak se doza të larta të saj mund të shkaktojnë shqetësime në organizëm, si të vjella dhe marramendje. Njashtu, marrja e saj për një periudhë të gjatë kohore mund të gjenerojë edhe disa simptoma, si acarimin e lëkurës, dhimbje në nyja dhe kocka, dëmtim të mëlçisë e shumë telashe të tjera.
Edhe pse mungesa e vitaminës A është mjaft e rrallë, janë disa simptoma që shfaqen me kalimin e kohës dhe që mund të jenë shenjë paralajmëruese e përballjes me mungesën e saj.
Tharja e syve
Sytë janë të mbuluar me një shtresë lëngu, i cili ndihmon në mbrojtjen dhe lubrifikimin e tyre, duke e mbajtur gjithashtu të pastër sipërfaqen e syve. Dhe sytë e thatë mund të jenë një nga shenjat e para që e shpërfaqin mungesën e vitaminës A në trup.
Shërimi më i vështirë i plagëve
Vitamina A është një komponent i rëndësishëm për shërimin e plagëve.
Një arsye për këtë është se vitamina A luan rol të rëndësishëm në zbutjen e përgjigjes inflamatore të trupit dhe mund të ndihmojë gjithashtu në kontrollin e inflamacionit të tepërt.
Pa sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine në organizëm, trupi nuk do të shërohet siç duhet.
Infeksione më të shpeshta
Vitamina A mendohet të ketë një efekt mbrojtës kundër inflamacionit që vjen së bashku me patogjenët invazivë, si ftohjet dhe infeksionet.
Për këtë arsye, ekspertët janë të mendimit se mungesa e vitaminës A mund të shoqërohet me infeksione të fytit, traktit të frymëmarrjes dhe gjoksit.
Lëkura më e thatë
Mungesa e vitaminës A nuk mund të jetë shkaktari i vetëm i tharjes së lëkurës, porse mund të luajë një rol domethënës në shfaqjen e këtij shqetësimi.
Kur shikoni përbërësit në produktet e kujdesit të lëkurës, retinoli është një përbërës mjaft i zakonshëm. Rezulton se retinoli në të vërtetë rrjedh nga vitamina A dhe i jep lëkurës shumë përfitime, si zvogëlimi i rrudhave dhe zbutjen e lëkurës.
Sipas kësaj lidhjeje, ekspertët mendojnë se mungesa e vitaminës A mund të luajë një rol në problemet e lëkurës.
Problemet me fertilitetin
Vitamina A ka ndikim të rëndësishëm edhe në proceset riprodhuese dhe disa kërkime tregojnë se mungesa e saj mund të shoqërohet me infertilitet.
Megjithëkëtë, nevojiten ende kërkime të mëtejshme në këtë fushë. Por në fund të fundit më e rëndësishmja është që të mbahet mend se shenjat dhe simptomat e lartpërmendura mund të shfaqen për shumë arsye të ndryshme. Dhe nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me mungesën e vitaminës A ose të ndonjë lënde tjetër ushqyese, drejtohuni tek mjeku juaj për të marrë ndihmë të specializuar.