Me një rikthim sensacional pas vazhdimeve, Llapi ka arritur ta nënshtrojë Prishtinën (3-1) në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta fituar Superkupën e Kosovës.
Gjysma e parë e takimit nuk prodhoi gola. Të dyja skuadrat ishin të vëmendshme në 45 minutat e parë, në të cilat rrjetat nuk u prekën.
Llapjanët patën rastet më të mira në këtë fraksion përmes Alban Shillovës dhe Kushtrim Shabanit që nuk u konkretizuan.
Kryeqytetasit mbetën me një lojtar më pak në fushë në gjysmën e parë, pasi që Endrit Krasniqi u ndëshkua me kartonin e verdhë në minutën e 27-të.
Në pjesën e dytë të takimit, bardhekaltrit ia dolën ta zhbllokonin rezultatin. Sulmuesi nigerian, Otto John u tregua i sakte me një gol nga brenda zonës (67’).
Në vazhdim u nivelizua numri i lojtarëve në fushë, pasi edhe Llapi mbeti me një lojtar më pak. Arbnor Ramadani u përjashtua me karton të kuq (72’).
Skuadra nga Podujeva arriti ta barazonte rezultatin me golin e Festim Alidemës nga penalltia (86’) duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.
Në pjesën e parë të vazhdimeve, Valmir Veliu realizoi një gol të bukur (101’) duke e përmbysur rezultatin dhe duke e kaluar Llapin në epërsi.
Portieri Betim Halimi bëri një ndërhyrje të gabuar në zonë duke shkaktuar penallti dhe duke u përjashtuar me kartonin e dytë të verdhë.
Ishte sërish Festim Alidema që mori përgjegjësinë nga pika e parë dhe e konvertoi në gol njëmbëdhjetëmetërshin (114’).