Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligji për miratimin në Kuvend të Kosovës për marrëveshjen ndërkombëtare me vlerë prej 15 milionë euro, mjete këto të destinuara për distribuimin e vaksinave anti-COVID.
Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati tha se kjo marrëveshje ka kaluar të gjitha fazat që parashihen me Ligjin për Ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërkaq ftoi ministrat të përkrahin edhe këtë marrëveshje si Projektligj.
“Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë eurosh. Mjetet financiare kanë për synim mbështetjen për distribuim të vaksinave kundër COVID-19, një pjesë e tyre do të destinohen edhe për mbështetje në furnizim me barna esenciale. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të kësaj marrëveshje dhe se ka kaluar të gjitha fazat që parashihen me Ligjin për Rartifikimin e marrëveshjeve, prandaj e kemi sjellur sot para jush edhe si projektligj për tu miratuar”, tha Murati gjatë mbledhjes.