Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” dhe ata nga rrugët lidhëse në atë pjesë të Lagjes “Mati 1” në Prishtinë, sot do të protestojnë për shkak të vonesave të punimeve për gjendjen e rrugëve.
Sipas banorëve, punimet që kanë filluar tash e katër muaj po pengojnë hapësirat për ecjen e këmbësorëve, ndërsa personat me nevoja të veçanta kanë mbetur të mbyllur.
“Ne banorët e rrugës ‘Muharrem Fejza’ me rrugët lidhëse, me datë 22/07/2021, ditë e enjte, në ora 18:00, te rrethi që lidhë “Rrugën B” me rrugën ‘Muharrem Fejza’ (te barnatoret), do të protestojmë për gjendjen e rrugës gjegjësisht punimet në rrugë. Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd. Me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhesë të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht’’, thuhet në njoftimin e banorëve.
Banorët thonë se kërkesat e tyre i janë adresuar Komunës disa herë, por deri tani ata kanë mbetur pa përgjigje.