Policia gjobiti me 288 mijë lekë (rreth 2300 euro) dy kosovarët që me veturat e tyre zhvilluan “shpejtësi dhe çmenduri”në rrugën Fier-Vlorë.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë dy makina tip “Lamborghini” dhe “BMW” që i afrohen vendqëndrimit të patrullës me shpejtësi 225 kilometra në orë.
Këto vetura voziteshin nga persona me origjinë nga Kosova dhe vendqëndrim në Zvicër, të cilët nuk iu bindën as urdhrit për t’u ndaluar.
Sidoqoftë ata u ndaluan në qytetin e Vlorës nga punonjës të tjerë policie dhe u gjobitën 168 mijë lekë drejtuesi i “Lamborghini”-t dhe 120 mijë lekë drejtuesi i BMW-së.
I.B (40 vjeç) e drejtonte makinën “Lamborghini” pa targa, ndërsa M.N (36 vjeç) e ngiste makinën “BMW” pas tij ngjashëm me shpejtësi duke dhënë të mendohet se të dy po garonin bashkë.
Rruga Fier-Vlorë, e ndërtuar vitet e fundit sipas standardeve evropiane me korsi të gjera dhe trafikndarëse të larta ka si kufi shpejtësie 110 kilometrat në orë.
Ajo është kthyer kohët e fundit në problem serioz pasi shumë drejtues makinash udhëtojnë me shpejtësi tej normave.
Më 25 qershor në një pjesë të kësaj rruge humbi tragjikisht jetën familja Gushi – dy prindërit Eduart e Silvana dhe vajzat Anastasia (14 vjeçe) dhe Eva (9 vjeçe).
Për shkak të kësaj tragjedie policia dhe bilancit prej 90 viktimash në pesë muaj, policia ka shtuar kontrollet ndërsa pak muaj më parë u miratua dhe ashpërsimi i Kodit Rrugor me gjoba edhe më të rënda për tejkalimin e shpejtësisë.