Prishtina e mposhtë kampionin e Uellsit 4-1

Prishtina ka regjistruar fitore të rëndësishme (4-1) në sfidën e parë të raundit të dytë të fazës kualifikuese të Ligës së Konferencës kundër Connah’s Quay Nomads.

Në gjysmën e parë të takimit të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, bardhekaltrit e shënuan vetëm një gol në minutat e fundit të këtij fraksioni.

Mbrojtësi Leutrim Bekteshi u gjend më së miri në zonë pas një harkimi të Xhevdet Shabanit nga këndi dhe realizoi me kokë (41’).

(Foto: Facebook/FC Prishtina)

Fillimi i gjysmës së dytë ishte më i mirë, duke qenë se kampioni i Kosovës ia doli ta dyfishonte epërsinë me golin e John Otto John.

Megjithatë, kampioni i Uellsit u kthye në lojë duke e ngushtuar rezultatin me golin e Tom Moore (75’).

(Foto: Facebook/FC Prishtina)

Reagimi i bardhekaltërve ishte i menjëhershëm. Ata e ngritën avantazhin në 3-1 me golin e Endrit Krasniqit (78’), i cili shënoi falë asistimit nga Mankenda.

Në minutat shtesë (90’+5), Otto John realizoi edhe golin e dytë personal në këtë takim, ndërsa ky ishte edhe asistimi i dytë nga Mankenda.

(Foto: Facebook/FC Prishtina)

Prishtina e zhvillon ndeshjen kthyese në udhëtim më 29 korrik, ndërsa rezultati 4-1 e favorizon skuadrën nga Kosova për t’u kualifikuar në raundin e tretë, ku do të luajë me fituesin e duelit ndërmjet Valur (Islandë) dhe Bodø/Glimt (Norvegji).