Deçan: 320 banorë kërkojnë ndihmë mjekësore në QKMF, dyshohet se u helmuan nga uji

Që nga mbrëmë 320 banorë të disa fshatrave kanë kërkuar ndihmë në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan.

Mjekët kujdestarë thonë se dyshimet e para janë që shkak i helmimit është uji, njofton Klankosova.tv.

Simptomet që i kanë përcjell këta qytetarë janë vjellje dhe diarre (barkqitje).

Kompania rajonale e ujësjellësit ”Hidrodrini”, ka dalur me një apel nga njësia operative e Deçanit, që në disa fshatra mos të konsumojnë ujin për pije, deri në një njoftim tjetër.

Një gjë e tillë, sipas tyre, pas disa shqetësimeve të shprehura tek disa konsumatorë të fshatrave Prejlep, Rastovicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, mbi dyshime për helmim shëndetësor, përcjell klankosova.tv.

Për të mësuar rreth gjendjes së tyre shëndetësore për vizitë ishte edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.