Policia e Kosovës i ka shtuar aktivitetet dhe bashkëpunimin me qytetarët për parandalimin e aksidenteve në trafik.
Kështu një numër i madh i qytetarëve kanë filluar që të dërgojnë në redaksitë e mediave pamje filmike dhe fotografi ku tregohet se si shoferët shkelin rregullat e trafikut duke bërë edhe vozitje të rrezikshme.
Falë këtij bashkëpunimi organet e rendit po ndërmarrin masat e nevojshme duke i ndëshkuar këta shoferë.
“Policia e Kosovës përmes videove dhe fotografive të publikuara në mediat online ka pranuar informata për pjesëmarrës në trafik të cilët kanë kryer kundërvajtje rrugore duke bërë tejkalim në vijën e plotë. Njësitet policore menjëherë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e saktë të kundërvajtësve, me ç ‘rast edhe u është shqiptuar tiketa sipas ligjit mbi kundërvajtjet në trafik”.
“Policia e Kosovës i falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin e treguar dhe kontributin e dhënë në parandalimin e kundërvajtjeve dhe njëkohësisht apelon për pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë rregullat e trafikut për një siguri më të madhe në trafik”.