Një variant i koronavirusit, i pari i identifikuar në Indi, është duke shkaktuar telashe në disa pjesë të botës dhe ekspertët kanë shprehur shqetësimet. Ekspertët kanë deklaruar se varianti, i emërtuar “Delta” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është më lehtë i transmetueshëm se varianti britanik, i njohur si “Kent” ose “Alpha”.
Janë disa lloje variantesh “indiane”, por i quajturi B.1.617.2, duket se shpërndahet më shpejt. Megjithatë, sipas hulumtimeve të fundit, vaksinat e prodhuara nga “Pfizeri” dhe “AstraZeneca” janë efikase kundër variantit pas dy dozash, por mbrojtja me vetëm një dozë duket se dobësohet.
Çka dihet deri tash për variantet e ndryshme?
Janë mijëra variante të COVID-19 që po qarkullojnë në botë. Viruset përjetojnë mutacione vazhdimisht. Disa e dëmtojnë virusin, por të tjerat mund ta bëjnë më kërcënues infektimin.
Variantet më të përhapura kanë nxitur shqetësim te zyrtarët shëndetësorë në botë. Ato përfshijnë: variantin indian “Delta”, atë britanik “Alpha”, atë afrikan “Beta” dhe atë brazilian “Gamma”.
A janë më të rrezikshëm?
Nuk ka dëshmi se ndonjëri nga këta variante krijon sëmundje më serioze te shumica e njerëzve. Sikur te varianti origjinal, rreziqet mbesin të larta për të moshuarit apo grupet e njerëzve me probleme shëndetësore. Një virus mund të jetë më i rrezikshëm te popullata e pavaksinuar. Këshillat mbesin të njëjta: Higjiena, distanca, maska.
Si po funksionojnë mutacionet?
Ekspertët kanë shprehur shqetësimin për ndryshimet që ka përjetuar virusi. Varianti “Delta” konsiderohet që shpërndahet më së shpejti, por sipas ekspertëve britanikë s’ka dëshmi se shkakton sëmundje më të rëndë apo që ua ul efikasitetin vaksinave.
Në anën tjetër, OBSH-ja e ka klasifikuar një variant tjetër të Indisë – B.1.617 – si variant që ka nxitur më shumë shqetësim.
Një mutacion, i quajtur N501Y, i ndarë nga variantet “Alpha”, “Gamma” dhe “Beta” duket se e bën virusin më infektues dhe që shpërndahet më lehtë.
Variantet “Beta” dhe “Gamma” kanë një mutacion tjetër, që mund të shmangë antitrupat.
A do të funksionojnë vaksinat?
Aktualisht vaksinat janë krijuar për variantet më të hershme të virusit, por shkencëtarët besojnë se ato mund të kenë efikasitet, megjithatë potencialisht më të ulët.
Sipas hulumtimeve shkencore, antitrupat që luftojnë infeksionin – antitrupa të nxitura nga vaksinimi apo infektimi i kaluar – mund të jenë më pak efikase kundër variantit “Delta”.
Dy doza të vaksinës “Pfizer” apo “AstraZeneca” megjithatë mbrojnë njerëzit nga sëmurja e rëndë.
Të dhënat kanë sugjeruar se vaksina e “PFizerit” mund të mbrojë ndaj të gjithë varianteve të rinj, por me më pak efikasitet.
Sipas të dhënave për vaksinën e “AstraZenecas”, ajo mbron me efikasitet ndaj variantit “Beta”, por më pak ndaj variantit “Beta”. Por ndalon përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Një hulumtim ka thënë se varianti “Gamma” është më rezistent ndaj antitrupave te njerëzit që tashmë kanë kaluar COVID-19.
Vaksina “Moderna” konsiderohet më efikase ndaj variantit “Beta”, por “me përgjigje imunitare më të dobët apo më jetëshkurtër”.
Ekspertët po ashtu besojnë se vaksinat aktuale mund të ridizajnohen për të mposhtur çdo lloj mutacioni.