Në Kosovë, ka shkuar në 2.198 numri i të vdekurve nga koronavirusi, prej vitit të kaluar.
Numri total i rasteve pozitive është 106.022 raste nga 546.741 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 96.668 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.156.
Në Kosovë, të martën arritën edhe 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Me kontingjentin e vaksinave që arriti të martën në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë tha se do vaksinohet personeli shëndetësor, që nuk është vaksinuar gjatë fazës së parë të fushatës së imunizimit, më pas personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
Sot, po ashtu institucionet në Kosovë konfirmuan edhe sigurimin e 10 mijë vaksinave antiCOVID nga Kroacia.
Qeveria e Kosovës, ka thënë se deri në fund të vitit, planifikohet që të vaksinohen deri në 70 për qind e popullatës.
Plani shtetëror i imunizimit është i ndarë në tri faza.
Në fazën e parë janë përfshirë punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç, banorët e shtëpive të kujdesit dhe ata me sëmundje kronike.
Në fazën e dytë bëjnë pjesë personat 65-79 vjeç, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë.
Ndërkaq, në fazën e tretë pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullatës.
Megjithatë, Kosova është ndër vendet ku më së paku qytetarë në botë janë vaksinuar kundër COVID-19, shkaku se ende nuk ka ardhur sasi e madhe e dozave të vaksinave.