Ligji për Specialen, Maliqi: PDK-ja duhej t’i ulte pritshmeritë, Kosova e ka të kufizuar hapësirën për veprim

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka reaguar lidhur me ligjin për Specialen, duke thënë se, Partia Demokratike e Kosovës, do të duhej t’i ulte pritshmëritë nga kalimi i ligjit.

Maliqi, ka vlerësuar edhe se dihej se ligji, ‘’do të hapte front politik me ndërkombëtarët dhe se ishte i cënueshëm, në kuptimin që fuqia politike kushtëzuese e Kosovës është e ulët dhe BE-ja ka siguresa juridike kushtetuese’’.

‘’ Por për dallim nga skenari i mosveprimit, ligji së paku e problematizoi çeshtjen dhe tani e detyron një negociatë politike me perëndimorët për dispozitat e veçanta, por edhe për nevojën legjitime të sqarimit të mandatit të gjykatë’’, ka shtuar Maliqi.

Postimi:

Ndryshimi i ligjit të speciales ishte vetëm një prej masave për përballjen me një situatë sfiduese ku Kosova e ka hapësirën e kufizuar të veprimit. Ishte diçka më shumë se rezoluta, në kuptimin e të qenit më shume një aspiratë politike, por me efektin real të detyrimit dhe bartjes së përgjegjësisë vepruese nga një parti te shteti. Në mënyrë që shteti më pas të mund të vepronte mbi detyrimet, nevojitej edhe një president konsensual i/e interesuar për këtë temë.

Në çdo rrethanë, ligji dihej se do të hapte front politik me ndërkombëtarët dhe se ishte i cënueshëm, në kuptimin që fuqia politike kushtëzuese e Kosovës është e ulët dhe BE-ja ka siguresa juridike kushtetuese. PDK-ja duhej t’i ulte pritshmëritë nga kalimi i ligjit.

Por për dallim nga skenari i mosveprimit, ligji së paku e problematizoi çeshtjen dhe tani e detyron një negociatë politike me perëndimorët për dispozitat e veçanta, por edhe për nevojën legjitime të sqarimit të mandatit të gjykatës. Kjo situatë gjithashtu mund të ndihmojë edhe në rihapjen e çështjes jo krejt të pandërlidhur të anëtaresimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila ua jep liderëve të UÇK-së një mekanizëm ligjor shtesë për ankesë.