Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka falënderuar ShBA-në dhe BE-në për ndihmat që i janë dhënë Kosovës në kohën e pandemisë së koronavirusit.
“Ne mirëpresim dhe vlerësojmë jashtë mase çdo ndihmë që vjen në këtë situatë të rëndë. Kosova ka ende nevojë për ndihmë nga miqtë, sepse të gjithë e kemi parë se lufta kundër pandemisë ka vënë në vështirësi edhe shtetet më të zhvilluara të botës. Populli i Kosovës nuk do të harrojë kurrë ndihmën e dhënë në këtë moment të vështirë”, ka shkruar ai.
Veseli ka thënë se Kosova është e bekuar që ka shtete mike partnere që na kanë ndihmuar në çdo sfidë gjatë së kaluarës dhe që na gjenden pranë gjithmonë në nevojë.
“Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Turqinë për ndihmën bujare që na kanë dhënë gjatë ditëve të fundit, për të përballur luftën kundër koronavirusit”, shtoi kreu i PDK-së, Kadri Veseli.