Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se tre pacientë të prekur me koronavirus janë në gjendje kritike për jetën.
Pasi ngushëlloi familjen e viktimës së fundit me COVID-19 në Kosovë, Vitia tha se në gjendje të rëndë shëndetësore janë edhe tre pacientë.
“Sonte në betejë me virusin corona e humbëm dhe një paciente, grua, nënë, motër, qytetare e jona. Ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tyre me pikëllim. Mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë. Por edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë”, tha Vitia në një postimi në Facebook.
Sipas tij, secilin njeri që ka shumë detyrime në jetë – prej atyre që nuk e ndalin dot punën e deri tek ata/ato që furnizojnë dhe i shërbejnë familjes. Mirëpo, tha se do të ketë zero mirëkuptim për ata persona që dalin pa arsye.
“Ju mirëkuptojmë pa dyshim, por ju thërrasim për kujdes të JASHTËZAKONSHËM kur dilni dhe kur ktheheni në shtëpi. Ju lutem! ZERO mirëkuptim për këdo që këto ditë të vështira, po del nëpër qytet a fshat pa arsye madhore, për ata që po i vijojnë vizitat si mysafirë tek te afërmit, apo ata të cilët praktikisht po e lenë në bast jetën e tyre dhe të familjes së tyre”, theksoi ministri i Shëndetësisë.
Ai kërkoi të mos luhet me rrezikun e cenimit të shëndetit personal e kolektiv pasi që, siç tha ai, mbrojtja e jetës është detyrë mbi detyrat dhe “nuk na falet që me shkujdesje ta cenojmë”.
Në fund, ministri Vitia bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, të ruajnë distancën dhe të mbajnë higjienën.
“Mendohuni shumë para se të merrni vendimin për të dalë nga shtëpia dhe mos thirrni mysafirë në shtëpi”, përfundoi Vitia.