VV kishte 51 deputetë më 14 shkurt, pas zgjedhjes së Presidentes ka 55

Lëvizja Vetëvendosje fitoi 50.2% në zgjedhjet parlamentare.

Kështu, ajo fitoi 58 deputetë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Prej këtyre deputetëve, 7 ishin të listës Guxo që u shkrinë në listën e VV-së para zgjedhjeve.

Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Haxhi Avdyli, Faton Peci, Doarsa Kica Xhelili, Jeta Statovci, Burim Karameta, ishin deputetët që dolën më të votuar në zgjedhje e që i takonin kësaj liste.

Prej këtyre, Peci e Gërvalla u bënë ministra në Qeverinë Kurti. Ndërsa Vjosa Osmani u zgjodh si presidente më 4 prill. Kështu, Lista Guxo mbeti me 4 deputetë pasi të gjithë deputetët që u zëvendësuan i takonin Lëvizjes Vetëvendosje. 

Enver Haliti, Shqipe Isufi, Mirsad Shkreta, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Jahja Kokaj, Hidajet Hyseni Kaloshi, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli, ishin deputetët që u futën në Kuvend.

Të gjithë këta i takojnë VV-së si subjekt politik.

Ndërkohë, Yllëza Hoti zëvendësoi mbrëmë Vjosa Osmanin. Edhe kjo i takon VV-së.

Ndërsa dicka tjetër kishte ndodhur në momentin kur po votohej Presidentja. Adelina Granica iu bashkua VV-së duke lënë PDK-në.

Tani VV ka 55 deputetë, ndërkohë grupi i VV-së ka 59 së bashku me Listën Guxo.

Ndërkohë, deputetja e AAK-së Arbena Reshitaj u përjashtua nga AAK pasi vendosi të votojë për Osmanin si Presidente, mirëpo ajo ka bërë të ditur se nuk do i bashkohet asnjë subjekti dhe do të garojë si e vetme.