Donika Gërvalla do ta drejtojë Iniciativën “Guxo”

Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Faton Peci, ka folur rreth të ardhmes së Listës Guxo në skenën politike, shkruan Gazeta Stop.

Kryetarja e kësaj liste, Vjosa Osmani, ka dhënë dorëheqje nga kjo listë pasi që është zgjedhur Presidente e vendit, duke mbetur kështu vetëm katër deputetë në këtë iniciativë.

“E pamoralshme që të kthehemi në LDK. E padrejtë dhe diskutimet e tilla janë të pavërteta. Nuk ka marrëveshje për rikthim. Do të cojmë deri në fund koalicionin me VV-në. E kemi marrë votën për këtë dhe kështu do të veprojmë”, ka thënë Peci në T7.

Tutje, Peci ka treguar se beson që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, do të jetë kryetare e re e kësaj partie.

“Kemi kapacitete dhe njerëz me aftësi të mëdha. Do të mbajmë kuvendin e brendshëm për të përcaktuar të ardhmen por besoj që zonja Donika Gërvalla të jetë ajo që të na udhëheqë përpara. Figurë qendrore do ta kemi, deri ne mbajtjen e nje kuvendi zgjedhor, ku do te dalin strukturat e reja”, tha ai.