Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar se kanë dorëzuar kërkesën për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me pakon emergjente fiskale e cila është votuar nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se seanca do të mbahet më datën 14 prill, transmeton Telegrafi.
“Kjo situatë e krijuar përveç ndikimit në çështjen shëndetësore sigurisht e ka ndikimin e madh social dhe ekonomik. Me qëllim që ky ndikim negativ social dhe ekonomik mos të thellohet duhet veprime konkrete dhe urgjente. Me qëllim të adresimit të sfidave të cilat i kemi para vetës si shtet ne si PDK e kemi dorëzuar kërkesën me nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme me datën 14 prill, ditë e marte”, ka thënë Hamza në një konferencë për media.
Ai ka thënë se masat e ndërmarra deri tani janë të pamjaftueshme dhe të vonuara.
“Ne kemi bërë propozimin e cila shkon deri në 320 milionë euro. Jemi të hapur edhe për propozime tjera”, u shpreh Hamza.