Një rast i dhunës në familje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Prishtinë.
Një burrë i moshës 32-vjeçar për orë të tëra nën kërcënimin e armës ka kërcënuar familjen e tij.
Duke e parë gjithë këtë situatë, nëna e vëllai i të dyshimtit kanë lajmëruar menjëherë policinë.
Ekipet policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, rrugën “Bill Klinton”.
Por personi i dyshuar nën kërcënimin e armës për më shumë se një orë ua kishte drejtuar armën zyrtarëve policorë.
Këta të fundit fillimisht kishin siguruar anëtarët e familjes dhe në fund kishin arritur që personin që kishte sjellje agresive ra dorëzonin para hetuesve policor.
Kështu për Klan Kosova tha Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën për një rast të dhunës në familje në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet policore, të cilat fillimisht kanë bërë sigurinë e plotë të familjarëve, pasi që personi i dyshuar (i armatosur ) kishe sjellje agresive”.
Ahmeti tha se i dyshuari kishte tentuar që t’i shmanget arrestimit duke kërcënuar policinë me armë zjarri.
“I dyshuari : K.M. mashkull, 32 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka tentuar që duke kërcënuar me armë zyrtarët policor t’i shmanget arrestimit.
Mirëpo, Njësiti i Reagimit të Shpejtë, pas negociimit të gjatë profesional (rreth një orë) me personin e dyshuar, ka arritur të arrestoj të dyshuarin dhe të sekuestroj një armë zjarri”.
“Në vendin e ngjarjes po vazhdon kontrolli dhe ekzaminimet e nevojshme policore, ndërkohë që në koordinim të ngushë me prokurorin e shtetit do të ndërmerren veprimet e mëtejme”.