Dorëzohet Qeveria e Spanjës: Kosovës ia respektojmë simbolet e shtetit

Dje u bë shumë bujë lidhur me ndeshjen Spanjë – Kosovë, ku u tha se qeveria spanjolle nuk do ta lejojë Kosovën ta shpalos flamurin dhe himnin e saj.

Megjithatë, tashmë duket gjithçka zyrtare dhe qeveria e Spanjës është dorëzuar para presionit të FIFA-s dhe UEFA-s kështu që Kosovës do t’ia respektojë simbolet e saja.

Federata e Futbollit të Spanjës, përmes një postimi në Twitter i referohej shtetit kosovar si “territor i Kosovës”.

E tash, mediumi spanjoll “El Konfidencial” shkruan se Spanja do ta presë Kosovën, duke ia respektuar të gjithë simbolet e shtetit të pavarur.

Mediumi shkruan se ky është një hap vendimtar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila udhëheq grupin evropian të përbërë nga vetëm pesë vende, refuzon të njohë sovranitetin e territorit të Ballkanit.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës, të cilën e citon mediumi, thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën as edhe një centimetër”.

Spanja e Kosova do të ndeshen me 31 mars në Sevilla në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Përveç Kosovës e Spanjës në grup janë edhe Suedia, Greqia e Gjeorgjia.