Të hyrat doganore kaluan 80 milionë euro gjatë janarit, por cilat produkte u importuan më së shumti

Krahasuar me të hyrat doganore të Kosovës në vitin 2019 që ishin 1 miliard e 168 milionë euro, gjatë vitit 2020 Kosova ka pasur 10 për qind ose 117 milionë euro më pak të hyra doganore.

Në vitin 2019, Kosova kishte reciprocitetin për mallrat serbe ndërsa në vitin e kaluar, pa masën e reciprocitetit, vendi ka importuar mallra nga Serbia me vlerë rreth 170 milionë euro, ka thënë zëdhënësi i doganës Adriatik Stavileci.

Gjatë vitit 2020, Kosova ka importuar rreth 4.2 miliardë produkte, ndërsa ka eksportuar 450 milionë euro produkte.

“Të hyrat e përgjithshme kanë qenë 1 miliard e 50 milionë euro gjatë vitit 2020,” ka thënë Stavileci për kohën. 

Sipas doganës, mallrat që u importuan më së shumti janë produktet si derivatet e naftës, veturat, duhani, industria ushqimore si dhe medikamentet të cilat kishin pas rritje.

Ditë më parë Dogana e Kosovës ka njoftuar që të hyrat doganore kanë kaluar 80 milionë euroshin për muajin janar të këtij viti. 

Vitin e kaluar janari ishte muaji i vetëm që nuk u prek nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID-19. Të hyrat ishin 73.2 milionë euro ndërsa raporti i janarit të këtij viti tregon 80.1 milionë euro apo 9.3 për qind më shumë.