Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka komentuar deklaratat e Glauk Konjufcës nga Vetëvendosje lidhur me certifikimin e kandidatëve për garën e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke kërcënuar kështu kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën.
Hoti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e respekton “asnjë rend shtëpie”, kjo pasi që sipas tij, vendimet e institucioneve në Kosovë ata i lavdërojnë vetëm kur iu përshtaten.
“Vetëm një kanidat i LDK-së ka qenë i dënuar në tri vitet e fundit, ai është Xhavit Ukaj, i cili është zëvendësuar. Vetëvendosje ka tendencë të përdorin teori konspirative. Kur ju përshtatet diçka e lavdërojnë, kur nuk ndodh kjo, çohen e kërcënojnë. Deklaratat e Konjufcës janë rrezik për demokracinë. Ata nuk e respekjtojnë asnjë rend shpie”, ka thënë Hoti në Rubikon.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë një emisioni në Tv Dukagjini, deklaroi se moscertifikimi i 47 deputetëve, përfshirë këtu edhe kreun e partisë së tij, Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike.
“Personi i cili në KQZ po ndikon, që edhe kërkesa të jetë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka”, tha Konjufca.
“Kurrgjë ata nuk po zbatojnë, ata po duan eliminim politik”, shtoi ai.
Lidhur me këto zhvillime pati reagime edhe nga disa ambasdorë të huaj në Kosovë.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde u ka kërkuar të gjitha palëve që të respektojnë procesin dhe rregullat, në mënyrë që të ketë zgjedhje të drejta dhe transparente.
Komisioni Qendror i Zgjedheve ka thënë se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten më pas në mbledhjen e KQZ-së. Vendimin për aprovim ose refuzim, KQZ-ja do ta marrë më së largu deri nesër.