Nëntë familje me rreth 70 anëtarë janë evakuar sonte nga lagjia “Shotë Galica” në Brekoc të Gjakovës, pasi shtëpitë e tyre janë konsideruar si të rrezikuara nga përmbytjet eventuale si pasojë e reshjeve të pandërprera të borës dhe shiut.
Për vlerësimin e gjendjes dhe mundësimin e evakuimit janë përkujdesur anëtarët e komisionit komunal, të formuar sot nga kryetari i komunës Ardian Gjini, e të cilët gjatë tërë ditës kanë qëndruar në teren, në vlerësim dhe sanim të situatës së krijuar mëngjesin e sotëm.
Sipas informatave nga anëtarët e këtij komisioni, rreth 70 banorët e evakuar, prej sonte do të strehohen përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës, vend ky i cili plotëson të gjitha kushtet për një jetë normale.
Për transportin, vendosjen e tyre, ushqimin dhe paisjet tjera të nevojshme është përkujdesur komuna e Gjakovës, ndërsa nuk ka munguar edhe përkrahje e pjestarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po ashtu kanë kontribuar në strehimin e këtyre familjeve. Ndërsa për nesër është paraparë edhe një vizitë rutinore shëndetësore nga ekipet e QKMF-së së Gjakovës.
Ndryshe, ekipet komunal të të gjitha niveleve vazhdojnë të jenë në gjendje gadishmërie dhe të pregatitur për secilin intervenim të mundshëm në rast të përkeqësimit të situatës.