Pas vendimi të Kushtetueses, 7 shkurti datë e mundshme për zgjedhjet parlamentare

U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas njoftimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për dërgimin e vendit në zgjedhje, ka përfunduar takimet me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Përderisa përfaqësuesi i NISMA-s Socialdemokrate, tha se kjo parti preferon fillimin e shkurtit si datë e përshtatshme për zgjedhje nga AKR thanë se qëndrimi i tyre është që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Edhe përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë janë shprehur të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Analisti i çështjeve politike, Rasim Alija thotë se koha optimale për mbajtjen e zgjedhjeve është java e parë e muajit shkurt.

“Data e zgjedhjeve afërsisht sillet te java e fundit e janarit apo java e parë e shkurtit, mirëpo data optimale është 7 shkurti sipas të gjitha afateve kushtetuese. Edhe pas shpalljes së aktvendimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese i bie që 7 shkurti është data më optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Rasim Alija.

Data e zgjedhjeve nuk mund të shpallet nga Osmani pa u publikuar aktvendimi i plotë nga Gjykata Kushtetuese.