Në maj të vitit 2016, Armend Dallku u largua pas më shumë se një dekade nga klubi ku vazhdon të vlerësohet legjendë. Ai u largua si kapiten i skuadrës ukrainase, Vorskla, për ta vazhduar karrierën si futbollist te Prishtina. Gjurmët që Dallku la për 12 vjet si lojtar i Vorsklas në Ukrainë, nuk kanë mbetur pa u vlerësuar. Shtatë muaj pasi ishte larguar nga Ukraina, Dallku e fitoi një çmim prestigjioz nga Federata e Futbollit e Ukrainës – “Mjeshtër sporti”. Është edhe çmimi i vetëm i dhënë për një futbollist që nuk është i lindur në Ukrainë. Dallku ndihet i nderuar për atë çmim.
Ai vazhdon të jetë i afërt me Ukrainën. Madje e mendon edhe kthimin te Vorskla nga Poltava. Por, tani si trajner. Aktualisht Dallku është trajner te skuadra e Ligës së Parë, Dukagjini i Klinës.
“Kam një lidhje të ngushë me Ukrainën, konkretisht me skuadrën e Vorsklas. Kam shumë miq me të cilët kam kontakt të rregullt. Para pak kohe më kanë kontaktuar edhe gazetarët nga Ukraina për të më pyetur për rezultatet e Vorsklas. Ishte një intervistë e zakonshme, por unë jam i hapur gjithmonë për të dhënë mendimet e mia rreth klubit. E përcjelli rregullisht dhe u gëzohem shumë rezultateve pozitive, por edhe ndiej keqardhje kur nuk fiton. Jam emocionalisht i lidhur me Vorsklan, pasi nuk është pak të luash nga viti 2004 deri në vitin 2016. Dhe, sigurisht që nuk e përjashtoj si mundësi që në të ardhmen të punoj në atë klub”, ka thënë Dallku për KOHËN.
Dallku ishte në Ukrainë vitin e kaluar, derisa planifikon një udhëtim drejt ish-shtetit të Bashkimit Sovjetik edhe gjatë këtij pushimi.
“Planifikoj me familje, sepse fëmijët dhe bashkëshortja ime kanë kaluar jashtëzakonisht mirë atje. Kështu që kur ta kemi mundësinë e parë, do të shkojmë për vizitë. Planifikojmë këtë kohë të pushimeve ta shfrytëzojmë, por të shohim si do të jetë situata me koronavirus”, ka thënë Dallku.
Dallku thotë se vazhdon të gëzojë respekt të madh në Ukrainë.
“Jo vetëm nga klubi i Vorsklas, por edhe nga të tjerët në Ukrainë kam gëzuar dhe gëzoj respekt të madh. Gjithë këtë respekt e kam arritur me punë dhe disiplinë”, ka theksuar ish-mbrojtësi i djathtë.
Ish-mbrojtësi i Përfaqësueses së Shqipërisë te Vorskla ka luajtur me plot sukses nga viti 2004. Për disa vjet i ishte besuar edhe shiriti i kapitenit. Me fanellën e Vorsklas, Dallku në vitin 2009 e fitoi Kupën e Ukrainës, që mbetet suksesi më i madh në histori të klubit. Për Vorsklan shënoi pesë gola dhe kontribuoi me 23 asistime në 313 paraqitje.
“Kam arritur shumë gjëra te kjo skuadër, shumë gëzime kam pasur. Atje jam si në shtëpinë time, është shtëpia ime e dytë. I kam dyert hapur”, ka theksuar Dallku.
Pasi u largua nga Vorskla, Dallku u bë lojtar i Prishtinës. Si lojtar edhe me Prishtinën e fitoi Kupën, ndërsa luajti 70 ndeshje ku shënoi shtatë gola dhe asistoi një herë.
Ai i dha fund karrierës si futbollist në fund të edicionit të kaluar, derisa pak muaj më vonë u bë trajner i parë i skuadrës “bardhekaltër”. Me Prishtinën e fitoi Kupën edhe si trajner. Por Dallku u largua ndërkohë nga Prishtina dhe menjëherë mori drejtimin e skuadrës së Ligës së Parë, Dukagjini. Me Dukagjinin ka pasur ecuri të mirë gjatë stinorit vjeshtor. E udhëhoqi drejt titullit të vjeshtës në Grupin A me 26 pikë.
“Jemi të kënaqur shumë me ecurinë e ekipit dhe atë gjithmonë falë punës dhe disiplinës. Djemtë e ekipit kanë bërë një punë të mirë dhe me përkushtim maksimal, normalisht edhe klubi, posaçërisht drejtori Fabian Veselaj na ka krijuar kushte shumë të mira për punë. Është një sukses i përbashkët duke dhënë secili në drejtimin e tij kontributin maksimal dhe kjo në fund na është shpërblyer me pozitën e parë të stinorit vjeshtor. Por synimi ynë kryesor është kthimi në Superligë. Po punojmë me gjithë kapacitetin për të arritur këtë qëllim. Është qëllimi i vetëm që kemi”, ka thënë Dallku.