Paqartësi brenda PDK-së për kryeministrin, Hamza: Nuk dihet ende, po bisedojmë

Gjykata Kushtetuese të hënën mbrëmë mori një vendim që thuajse asnjëra prej partive nuk e priti, rrëzoi Qeverinë Hoti dhe mori vendim që të çojë vendin drejt zgjedhjeve.

Kushtetuesja votoi pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, ndërsa në publikim të vendimit të Kushtetueses u theksua se kërkohet që brenda 40 ditëve partitë politike të përgatiten për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës.

Hamza u shpreh optimist për zgjedhjet, edhe pse tha se partia e tyre do të hyjë e hendikepuar në këto zgjedhje, pasi që emri kyç i kësaj partie, Kadri Veseli gjendet në Hagë.

Si një nga emrat më të përmendur për kandidatët e PDK-së për kryeministër të ri të Kosovës, Hamza deklaroi se kjo gjë nuk është diskutuar ende.

Hamza tha se nuk mund të flasë në mënyrë hipotetike dhe se  diçka e tillë nuk është biseduar ende.

Madje ai theksoi se PDK ka emra mjaftueshëm të mirë, të cilët do të mund të diskutoheshin dhe të vendoseshin për këtë pozitë.

“Kjo çështje ende nuk është vendosur, ende nuk është diskutuar në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës. PDK është mirë që është parti që ka potencial të figurave të cilat mund të kandidojnë, edhe besoj që shumë shpejtë do të diskutohet dhe do të bëhet propozimi që do të jetë më i pranueshmi dhe që do ta prezantojë PDK-në më së miri, por nuk dihet ende se kur do të vendoset. Po bisedojmë se cili është opsioni më i mirë për momentin”, tha Hamza.

Gjithashtu ai deklaroi se janë të mobilizuar për këto zgjedhje dhe për të dhënë maksimumin e tyre.

“Besoj që PDK do të dalë mirë, e kemi ditur se zgjedhje do të ketë shpejtë, për një apo arsye tjerët. Ne po e finalizojmë programin e PDK-së, jemi ekip i mirë dhe besoj se do të dali mirë në zgjedhje.Një pjesë sigurisht se do të jetë e figurave të kaluara, por besoj se do të ketë edhe shumë emra të ri. Besoj që me mungesën e z.Veselit, ne jemi të hendikepuar në zgjedhje,është normale por realisht duke marrë parasysh se po e finalizojmë ekipin dhe programin, shpresoj se do të dalim mirë në zgjedhje. Jemi të mobilizuar për të dhënë maksimumin”, shtoi ai.

Bedri Hamza njihet si një figurë mjaftë e rëndësishme e PDK-së, i cili ushtroi poste mjaftë kyçe si në parti, por edhe në institucionet shtetërore.

Në postet e fundit, Hamza ishte shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ish-ministër i Financave e më herët edhe kandidat komunal si dhe Guverantor i BQK-së.

Përpos Hamzës një nga emrat e tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës që u përmend për kandidim për postin e kryeministrit në zgjedhjet e shkurtit është edhe Enver Hoxhaj.