Të prekurit me COVID në Prishtinë, vërshojnë aplikimet për 50 dhe 100 euro

Për dy ditë 7 mijë e 367 qytetarë të Prishtinës të infektuar me koronavirus kanë aplikuar për ndihmë financiare nga komuna. Zyrtarë komunal kanë konfirmuar për Express se shumica e aplikuesve janë nën moshën 65 vjeçare, e që pritet t`i marrin nga 50 euro, teksa në këtë numër hyjnë edhe 647 pensionistë që kanë aplikuar për 100 euro.

“Nga 8 dhjetor kur është hapur platforma online për aplikimin e ndihmës financiare kanë aplikuar gjithsej 7367 qytetarë prej të cilëve 6720 nën moshën 65 vjeçare dhe 647 pensioniste”, ka thënë për Express, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

Në ndërkohë Komuna e Prishtinës ka aprovuar Pakon për ndihmë të të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës të infektuar me COVID-19, që nga fillimi i pandemisë, e që janë të evidentuar në listën zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Sipas njoftimit të komunës kjo ndihmë do të vazhdojë  edhe gjatë vitit 2021, dhe të gjithë qytetarët që potencialisht mund të infektohen në të ardhmen mund të aplikojnë për këtë ndihmë.

Nga komunat janë vendosur edhe kriteret për të aplikuar për këto mjete.

Për të përfituar këto mjete mund të aplikojë  çdo qytetar i Komunës së Prishtinës që figuron në zyret e Gjendjes Civile dhe që ka rezultuar pozitiv në testin RT – PCR (pra, që është në listat e IKSHPK-së).

Aplikimi duhet të bëhet nëpërmjet një email-i aktiv, dhe një llogarie bankare aktive.

Në ndërkohë nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur për Express se aktualisht me koronavirus janë aktive 3 mijë e 454 raste.

“Nga total prej 17432 raste, 3454 janë aktive, 13826 të shëruar dhe 152 te vdekur”, thuhet më tutje në përgjigje.

Kryeqyteti është një ndër komunat më e goditura nga pandemia Covid-19.

Kjo komunë aktualisht ka mundësuar edhe transportin pa pagesë me autobusët e Trafikut Urban për të gjithë qytetarët e Prishtinës.

Po ashtu ditë më parë kryetari Shpend Ahmeti njoftoi se kanë shtuar edhe staf mjekësor, siç njoftoi ai për një periudhë afatshkurtër – 4 muaj, kanë angazhuar edhe 35 persona në stafin shëndetësor – 10 mjekë e 25 infermierë.

Kujtojmë që nga përfitimi i këtyre mjeteve janë anashkaluar personat që kanë bërë testin serologjik gjë që shkaktoi pakënaqësi të madhe tek qytetarët.