Kosova të hënën i mëson kundërshtarët e kualifikimeve për kampionatin botëror të futbollit “Katari 2022”. Botërori i ardhshëm mbahet në termin të pazakontë, prej 21 nëntorit e deri më 18 dhjetor. Për shkak të temperaturave të larta, FIFA i ka ikur terminit të zakonshëm në verë.
Por kjo nuk është e veçanta e vetme e këtij botërori, dhe e kualifikimeve për të. Sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) të dielën ka publikuar shifra të veçanta që kanë të bëjnë me kualifikimet evropiane për Botëror. Pjesë e shifrave është edhe Kosova. Madje pjesë e postimit është edhe një video nga ndeshja e parë zyrtare ndërkombëtare e Kosovës, ndaj Ishujve Faroe në Frankfurt, më 3 qershor të vitit 2016.
Kosova për herë të dytë paraqitet në kualifikimet për Botëror. Në kualifikimet e para kishte përfunduar e fundit në grup. Për short do të jetë në vazon e pestë, por synimi është për pozitë më të lartë se numri i vazos. Kualifikimi do të jetë i vështirë.
Më poshtë paraqesim disa prej shifrave të veçanta të publikuara nga FIFA.
1904 – Shtatë vende evropiane iu bashkuan FIFA-s në vitin e themelimit të saj: Belgjika, Danimarka, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Zvicra. Anglia e Italia u bashkuan në FIFA në vitin 1905, kurse kampionia në fuqi e botës, Franca, pak më vonë, në vitin 1908.
807 – është numri i golave të shënuara në 278 ndeshje gjatë kualifikimeve evropiane për Botërorin 2018. Pra, për çdo ndeshje janë shënuar nga 2,9 gola mesatarisht. Shifra ishte pak më e lartë se ajo e kualifikimeve për Botërorin 2014, kur mesatarja e golave për ndeshje ishte 2,79.
296 – Holanda mban rekordin për më së shumti gola në ndeshje kualifikuese për Botëror prej përfaqësueseve evropiane. Holanda po ashtu ka më së shumti fitore në kualifikime prej përfaqësueseve evropiane. Ka fituar 82 prej 125 ndeshjeve të luajtura.
55 – Në kualifikimet evropiane për Botërorin 2018 ishte thyer rekordi me pjesëmarrjen e 54 përfaqësueseve. Rekordi tani do të thyhet me pjesëmarrjen e 55 përfaqësueseve. Rusia shtohet në kualifikime, pasi ishte kualifikuar direkt për në Botërorin e vitit 2018, që e organizoi vetë.
55 – Italia nuk ka humbur asnjë ndeshje kualifikuese për Botëror si vendëse. Ka 46 fitore e nëntë barazime. Pra, i ka 55 ndeshje pa humbje. Në përgjithësi, azurët kanë humbur vetëm nëntë prej 109 ndeshjeve të fundit kualifikuese për Botëror.
43 – Belgjika e Gjermania kanë shënuar nga 43 gola në dhjetë ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2018. Pra, mesatarja e tyre ishte 4,3 gola për ndeshje.
30 – Cristiano Ronaldo ka shënuar më së shumti gola në histori të kualifikimeve evropiane për Botëror. Superylli i Portugalisë i ka 30 gola në 28 ndeshje. Në kualifikimet për botërorin “Rusia 2018” kishte shënuar plot 15 gola.
22 – Gati gjysma e 55 përfaqësueseve pjesëmarrëse nuk janë kualifikuar asnjëherë në Kupë të Botës.
16 – Robert Lewandowski ka thyer rekordin për më së shumti gola në një kampanjë evropiane për Botëror. Ai kishte shënuar plot 16 gola për Poloninë në kualifikimet për “Rusia 2018”.
10 – Gjermania ishte e vetmja që i fitoi të gjitha dhjetë ndeshjet në fazën grupore të kualifikimeve për Botërorin e kaluar. Askush nuk e kishte arritur këtë në kualifikimet për Botërorin 2014.
10 – Mali i Zi ka numër të njëjtë të fitoreve (10), të barazimeve (10) dhe të humbjeve (10) në 30 ndeshjet e fundit kualifikuese për Botëror.
10 – Hungaria ishte e para që realizoi 10 gola në një ndeshje kualifikuese për Botëror. Më 25 mars 1938 kishte fituar 11:1 ndaj Greqisë.
4 – Katër përfaqësuese i përfunduan kualifikimet për Botërorin e kaluar pa humbje – Belgjika, Anglia, Gjermania dhe Spanja. Në kualifikimet për Botërorin 2014 ky numër ishte shtatë.
4 – Fitorja 4:0 ndaj Luksemburgut më 13 tetor 2004, në kualifikimet për botërorin “Gjermania 2006” ishte e para në udhëtim për Lihtenshtajnin. Ishte po ashtu fitorja e parë në kualifikime për Botëror dhe fitorja më e thellë e të gjitha kohërave për Lihtenshtajnin.
3 – Luksemburgu, Portugalia dhe Irlanda janë tri përfaqësueset e vetme që janë paraqitur në 20 kampanjat e deritashme kualifikuese. Kualifikimet për Katar 2022 do të jenë të 21-at për këto tri përfaqësuese.
3 – Anglia dhe Spanja kishin repartin më të mirë defanziv në kualifikimet për “Rusia 2018”. Kishin pranuar vetëm nga tri gola në dhjetë ndeshje.
2 – Kosova dhe Gjibraltari kanë debutuar në kualifikimet për “Rusia 2018”. Nuk ka debutuese evropiane në kualifikimet për “Katar 2022”.
1 – San Marino kishte fituar pikën e parë në kualifikimet për Botëror, duke luajtur pa gola me Turqinë në mars të vitit 1993. Ishte ndeshja e pestë e San Marinos në këtë garë. Prej atëherë San Marino i ka luajtur edhe 61 ndeshje kualifikuese për Botëror dhe ka fituar vetëm edhe një pikë tjetër.
0 – Spanja nuk ka humbur asnjë ndeshje në gjashtë kampanjat e fundit kualifikuese. Humbjen e fundit spanjollët e kanë pësuar më 31 mars 1993, 1:0 nga Danimarka. Në 63 ndeshjet e fundit kualifikuese për Botëror, Spanja është e pamposhtur.