Krasniqi për Specialen: Gjykimi i projektit më të rëndësishëm të historisë të Kosovës – tentativë për keqardhje

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si momentum të rëndë konfirmimin e aktakuzave dhe arrestimet e fundit të ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe shefin e tij partiak Kadri Veseli, nga Gjykata Speciale.

Por, ai në Rubikon të Klan Kosovës ka deklaruar se një zhvillim i tillë nuk ishte krejt i papritur.

“Nuk mund të them se ka qenë totalisht e papritur kur e kemi parasysh faktin që në muajin qershor Prokuroria Speciale nxori një deklaratë për media ku paralajmëroi se kishte dorëzuar draft-aktakuzë. Kushdo që e ka përcjellë në mënyrë objektive krejt këtë proces disavjeçar – prej publikimit të raportit skandaloz të Dick Martyt, raportit edhe të Clint Williamsonit si udhëheqës i Task-Forcës Speciale Hetuese dhe krejt pjesën e themelimit të Gjykatës Speciale – ka mundur ta presë që këta njerëz do të ballafaqohen, sepse kanë qenë thumbi i bazës së gjithçkaje që është raporti i Dick Martyt”.

“Gjithmonë e kam ditur që sulmet e ulëta, qoftë prej kundërshtarëve politikë apo qoftë prej të tjerëve që kanë spekuluar se është themeluar gjykata që këta t’i ikin drejtësisë, është ditur që do të dalin si të pavlera dhe që kanë qenë absolutisht në kuptimin e interesave politikë lokalë, gjë që u dëshmua në këtë rast. Ka qenë momentum i rëndë – edhe në kuptimin personal, edhe në atë politik, sepse PDK-ja ka pasë dy liderë deri tani dhe të dy po ballafaqohen me këtë projekt”.

Krasniqi ka shtuar se më shumë sesa për PDK-në, konfirmimi i aktakuzave është më i rëndë për Kosovën.

“Konsideroj se mbi të gjitha ka qenë momentum i rëndë në kuptimin nacional. Pas publikimit të aktakuzës të konfirmuar nga gjykatësi paraprak, mendoj që është tentativë për keqardhje që t’i gjykojë jo vetëm personat në kuptimin individual, por projektin më të rëndësishëm të historisë të Kosovës që ka qenë lufta çlirimtare”.

Me gjithë këto kritika, pse atëherë u votua Gjykata Speciale?

Krasniqi ka thënë se Specialja është votuar në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk ka pasur çka të fshihet dhe mbi të gjitha duhej të hiqeshin ‘retë e zeza’ që Dick Marty i vendosi mbi Kosovën.

Por, ai thotë se edhe SHBA-ja dhe shtetet e BE-së bënë presion të drejtpërdrejtë që Gjykata Speciale të votohet.

“Publikimi i raportit të Dick Martyt ka krijuar alarm, sepse akuzat kanë qenë aq skandaloze sa ka qenë e pamundur që të hidhen poshtë në kuptimin e injorimit. Alarmi është ngritur me akuzat çnjerëzore për transplantim dhe trafikim të organeve njerëzore dhe secili njeri normal e ka ditur që kjo ka qenë e pamundshme. Ka qenë shpikje dhe totalisht e ndikuar nga njerëzit që e kanë iniciuar raportin e Dick Martyt – nëse nuk gaboj një deputeti rus që është nisur nga një gjysmë faqe në librin e Carla Del Pontes. Raporti është bazuar kryesisht në burimet ruse, burimet serbe, apo ndonjë raportimi pa konfirmim dhe pa dëshmi”.

“Pas kësaj është krijimi i Task-Forcës Investigative, sepse ne e kemi ditur që çka ka thënë Dick Marty janë pallavra. Këtë e ka konfirmuar Task-Forca e Clint Williamsonit që ka thënë se nuk ka bazë për këtë çështje, por ajo ka qenë që e ka nisur krejt këtë domino efekt”.

“Në momentin kur është votuar gjykata duhet kuptuar që, përveç faktit që ne nuk kemi pasur çka të fshehim, edhe retë e zeza që i ka vendosur Dick Marty mbi Kosovë kemi besuar se është e domosdoshme që të hiqen, sepse akuzat kanë qenë krejtësisht të shpikura dhe të fabrikuara. Është shumë me rëndësi të ceket se ka qenë presion i drejtpërdrejtë nga miqtë tanë – shtetet e BE-së dhe SHBA-ja”.