Mehmeti: Sistemi bankar mirë i kapitalizuar- pakoja emergjente e nevojshme

Kryeministri Avdullah Hoti bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, kanë zhvilluar një vizitë Bankën Qendrore të Kosovës.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se sistemi bankar është mjaftë mirë i kapitalizuar, por se pakoja emergjente është më së e nevojshme për t’i ndihmuar bizneset e prekura nga kriza e shkaktuar nga pandemia.

Sipas tij, ekonomia pritet të shënojë një rënie në 7.2 % shkaku i masave të pandemisë, njofton Klan Kosova.

“BQK si në të kaluarën do t’i mbështesë politikat e përgjithshme të Qeverisë dhe do të veprojë në pajtim me parimin e ekonomisë së hapur. Sektori bankar para pandemisë ka qenë shumë stabil gjë që ka ndihmuar në tejkalimin e vështirësive ekonomike gjatë fazës së parë të pandemisë. Në fund të muajit shkurt, bankat ishin stabile”.

“BQK që në fillim të masave kufizuese në muajin mars ka treguar pro-aktivitet të lartë që t’i ndihmojë agjentët ekonomikë për përballimin sa më të lehtë të krizës ekonomike”.

“Masat e marra nga ne kanë pasur për qëllim ruajtjen e likuiditetit të individëve dhe bizneseve që t’i shtyjnë pagesat e kësteve të kredive”.

“Përkundër vështirësive financiare, sistemi bankar është mjaft mirë i kapitalizuar. Treguesit e mjaftushmërisë së kapitalit shënojnë 16.7% – që janë mbi kërkesat rregullative që kërkohen të jenë 12 %. Raporti i likuiditeti shënon 37.7% – që kërkohet të jetë 25%”.

“Kjo situatë kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Qeverisë dhe BQK-së. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe i jemi mirënjohës Qeverisë për përkrahjen e dhënë”.

“Kjo pandemi do të ketë ndikim afatgjatë për një pjesë të bizneseve. Pakoja emergjente është më së e nevojshme për t’i minimizuar pasojat negative që do të kenë ndikim afatgjatë në këta sektorë”.

“Qeveria e Kosovës mund të llogarisë në mbështetjen e BQK-së për implementimin e politikave të përgjithshme ekonomike të saj”.