Nënkryetari i Lëvizjes Vetevendosje, Glauk Konjufca i është përgjigjur kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt pasi ky i fundit tha se nëse Vetëvendosje thotë se votojnë kandidaturën e tij për president tash, do t’ia kthenin votën në të ardhmen.
Konjufca në emisonin DPT te Fidani në T7 ka thënë se kjo është e neveritshme dhe se LVV nuk hynë në kurrfarë pazari për presidentin.
“Ramushi e dha një koncept të votës veresi. Unë konsideroj që për këtë temë as nuk duhet të bëhen pazare, pasi ajo që ka nevojë Kosova është një qeverisje e re. Një qeverisje që ju ka nderpre jeta në mënyrë makabre në mars të këtij viti. LVV mendon që duhet të kemi zgjedhje të reja në vend. LVV nuk hynë në kurrfarë pazari për presidentin, është gabim bile edhe e neveritshme”, ka thënë Konjufca në T7.
Haradinaj kishte deklaruar se u ka bërë një ofertë Vetëvendosjes dhe PDK’në në këmbim të votës së tyre që ai të zgjidhet president.
Ai thotë se u ka premtuar ‘rikthim vote në parim’ në një të ardhme të mundshme politike.
“Unë i kam dhënë një ofertë PDK’së, në këtë rast do t’i kthenim besimin në të ardhmen me votë nëse do të ishte dikush nga PDK’ja për një pozitë të parë (president, parlamentar etj) mund ta votonim”, tha Haradinaj.
“Edhe pa zgjedhjeve të ardhshme nëse njëri nga kandidatët për pozitë të parë është nga PDK’ja e atij i mungon një votë që ne do të mundeshmim me ja dhënë për përkrahje që me u siguruar votat ne do t’ia jepshim votat”, shpjegon Haradinaj në Rubikon në Klan Kosova.
Ofertë të njëjtë thotë se ka bërë edhe për partinë e Albin Kurtit.
“Njëjtë do të vepronim edhe me Vetëvendosjen . Nëse Vetëvendosje thotë se votojnë kandidaturën time për president tash, do t’ia kthenim votën në të ardhmen”, theksoi ai.
Edhe një herë, ish-kryeministri ka arsyetuar kandidaturën e tij, duke thënë se është i duhuri për postin e presidentit.
Ish-presidenti Hashim Thaçi u dorëhoq pasi iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.