Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente nga pandemia e COVID -19, ka marrë vendim për izolim dy ditor të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe disa qyteteve të tjera.
Ky izolim dy ditorë erdhi si pasojë e rritjes së madhe të rasteve ditët e fundit, sidomos në kryeqytet.
Kosova, ende nuk ka arritur që ta votojë në Kuvend Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe kjo po i sfidon rëndë bizneset të cilat kanë pasur mbi një miliardë humbje në total që nga fillimi i pandemisë.
Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu është shprehur se Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale dhe idetë që po konkretizohen në vendime janë larg me realitetin.
Sipas Gërxhaliut, Kosova nuk guxon ta ketë shembull asnjë shtet të fuqishëm kur vjen fjala tek mbyllja dhe masat e ashpra anti-Covid për arsye se sipas tij, vendet e tjera kanë proceduar me hapa të shpejtë në përkrahjen e bizneseve.
“Duhet të kuptohet që brenga më e madhe e Kosovës është shndërrimi në një hapësirë eksperimentale, siç po e shihni, gjithkush po bjen ide në kundërshtim me realitetin dhe në këtë drejtim po shihet se si është politizuar pandemia Koronavirus dhe politizimi i kësaj po e shihni se si po ndikon në mos-votimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Në qoftë se ballafaqohemi me një bojkot të tillë politik të një ligji aq të rëndësishëm, si mund të kërkohet mbyllje dhe në fund si e sheh dikush shembull, Gjermaninë, Austrinë, Italinë kur dihet se ato vende kanë bërë shumë për biznesin në vend se ta shkatërrojnë atë”, tha Gërxhaliu.
Më tutje, Gërxhaliu tha se autoritetet shtetërore po e sfidojnë durimin e sektorit privat. Sipas tij, strategjia aktuale e Kosovës po e dëmton ekonominë dhe kjo mund të sjellë trazira sociale në vend.
“Në Kosovë që nga marsi i vitit 2020 nuk ka pasur asnjë përgjigje për bizneset dhe të kemi një mbyllje të tillë e të eksperimentohet me sektorin privat dhe komunitetin e biznesit, kam drojë që është strategji që po e dëmton Kosovën në aspektin ekonomik dhe po i ushqen kundërshtarët e Kosovës sepse nesër mund të kemi trazira sociale dhe është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës kur po përballet me pandeminë shëndetësore, ekonomike, sociale e politike”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu shtoi se vonesat në rimëkëmbje ekonomike janë fatale. Ai shprehet këto masa nuk do ta kenë efektin e tyre pasi janë të vonuara.
Kosova sipas Gërxhaliut po përballet me pandemi të ndryshme, nga ajo shoqërore e deri tek ajo politike por që sipas tij, pandemia ekonomike është më shqetësuese pasi që do të ketë pasoja afatgjata.
“Është koha kur duhet të bëhet më tepër sesa që flitet sepse vetëm atëherë kur ndihmohet sektori privat, dhe vetëm atëherë mund të merren masa për mbyllje, por kjo lloj mbyllje përveç gjurmëve ekonomike dhe sociale, lë gjurmë negative psikologjike në masë dhe humben shpresat që shteti do t’i mbështesë bizneset. Kosova është në tri ose katër pandemi njëherësh dhe për mua është shqetësuese pandemia ekonomike që e ka kapluar Kosovën dhe masat e vonuara s’do ta kenë efektin e dëshiruar sepse në aspektin teknologjik përjetohet ndryshe. Ndihma që do t’u ofrohet bizneseve më vonë nuk do ta ketë efektin e vet sepse janë rritur kamatat, janë rritur borxhet dhe është prodhuar inflacion e kjo e godit qytetarin dhe biznesin. Dhe besoj së masat kur të merren, do të jetë e vështirë të kenë efektin.”, tha ai.
Në fund, Gërxhaliu tha se nëse vendeve të tjera iu duhen 2-3 vite për rimëkëmbje, Kosovës do t’i duhet dyfishi për shkak të neglizhencës.