Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj thotë se situata në spitalet në Kosovë “është stabile”, por shton se për shkak të situatës epidemiologjike të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm.
Këto komente ministri Zemaj i bëri pas një takimi me drejtorët e përgjithshëm të spitaleve dhe të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar.
“Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty”, tha Zemaj në llogarinë e tij në Facebook.
Kosova, ditëve të fundit ka regjistruar rritje të numrit të rasteve me koronavirusin e ri. Vetëm të hënën, më 26 tetor, në Kosovë u regjistruan 205 raste të reja me koronavirus dhe tri viktima.
“Tashmë kur po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, pres nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, rritmi i punës nuk do të ulet, puna do të vazhdoj me përkushtim të shtuar”, shtoi Zemaj.