Projekti i ndërtimit të stacionit të autobusëve në komunën e Gjilanit ende nuk është implementuar. Komuna ka shpallur tenderin në vlerë mbi 700 mijë euro dhe ka përzgjedhur kompaninë fituese për kryerje të punimeve, mirëpo më pas lënda ka përfunduar për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit pasi kompanitë e tjera të cilat nuk janë shpallur fitues të tenderit, janë ankuar ndaj vendimit të cilin e kishte marr zyra e prokurimit në Gjilan raporton Koha.
Shefi i prokurimit në Gjilan, Izet Kurteshi ka deklaruar se ata janë në pritje të shqyrtimit të lëndës nga OSHP-ja e cila njihet edhe si gjykata e tenderëve ku edhe shqyrtohen pretendimet e palëve dhe më pas merret një vendim.
“Është në fazën e ankesave. Është shpallur fituesi mandej ka pasur ankesa dhe tash duhet të presim. Javën e ardhshme besoj se do të ketë një vendim” ka deklaruar ai.
Ndërkaq kryeshefi i ndërmarrjes publike lokale “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan, Avni Hajrullahu ka deklaruar se projektimi i stacionit është modern dhe se do t’i përgjigjet nevojave të operatorëve dhe qytetarëve. Ai potencon se risi në këtë projekt të cilin nuk e kanë stacionet e tjera është se do të ketë një hapësirë të posaçme brenda stacionit për nënat dhe fëmijët e tyre të vegjël.
“Stacioni i autobusëve është i projektuar për kategori. Përfshin pjesën për afarizëm që e ka katin e parë komplet mandej është pjesa e jashtme që ofrohen kushte tjera për agjencionit turistike pastaj rrethojat dhe aspekte tjera. Tualetet do të ndërtohen brenda standardeve dhe do të kenë qasje edhe personat me aftësi të kufizuar. Do të ketë edhe një hapësirë të dedikuar për nënat. Shembull një nënë do të ketë vendin ku mundet me i dhënë gjirin fëmijës dhe aspekte tjera të kujdesit” ka thënë ai.
Hajrullahu thotë se stacioni do të funksionojë me digjitalizim të jashtëm dhe të brendshëm dhe në aspektin e ndërtimit do të jetë shembull edhe për komunat e tjera.
“Për 15 deri 20 vitetet e ardhshme do t’i përmbush nevojat objekti në fjalë. Do të jetë një stacion modern” ka përfunduar Hajrullahu.