Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në dëshminë që po jep në Komisionin Hetimor Parlamentar, lidhur me vdekjen e Agon Musliut, e ka quajtur modelin e menaxhimit të pandemisë COVID-19, model të “zorit”.
“Model i zorit ka qenë menaxhimi i situatës me COVID-19. I gjithë modeli ka qenë i përcaktuar me qëllim që të marrim sa më shumë masa parandaluese që në situatën ku ishim atëherë, me gjithë këto mungesa, shpërthimi i tillë i pandemisë do të ishte katastrofik për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Vitia.
Ai po ashtu ka përmendur dobësitë në sistemin shëndetësor.
Sipas Vitisë, është sistemi i brishtë shëndetësor me shumë mangësi, mungesa e materialeve bazike (maska mbrojtëse, dorëza, alkool), trajnimi joadekuat për situata të tilla dhe shqetësimi ndaj situatës në Itali dhe ndaj disa vendeve të tjera që përkundër sistemeve të avancuara shëndetësore kanë kaluar në një situatë tragjike me humbjen e shumë jetëve gjatë kësaj periudhe.