Xhemajli: Skandal korruptiv me “Minierën e Re” të KEK-ut, Qeveria po abuzon qindra miliona euro të shtetit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka denoncuar sot skandalin në lidhje me vendimet e dyshimta për ndërtimin e “Minierës së Re”, të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka thënë se fillimisht Kryeministri Haradinaj, mandej qeveritë në vijim të Kurtit dhe Hotit, kanë vendosur që ta ndërtojnë “Minierën e Re”, në drejtimin e gabuar, në fushën e qymyrit në Veri N1, e jo në Fushën Jug e cila ishte pronë e KEK-ut.

“Ky është një vendim me dëm të madh ekonomik për buxhetin dhe qytetarët sepse rezultatet e studimeve të tre kompanive të përfshira tregojnë përparësitë e padiskutueshme të fushës së Jugut, ku mbi 90% e tokës në fushën e Jugut është tokë e KEK-ut.”, ka thënë deputeti Xhemajli, duke shtuar. “Braktisja e pronës publike dhe orientimi në prona private përbën një rast të pastër të korrupsionit.”

Lexoni deklaratën e tij të plotë më poshtë:

Të nderuar përfaqësues të mediave, sot ju kam ftuar për të ngritur një çështje madhore të ekonomisë së Kosovës që ka mbetur fshehur si pasoje e zhurmës politike.

Fjala është për vendimet skandaloze te ndërmarra për ndërtimin e “Minierës së Re” të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Fillimisht Kryeministri Haradinaj, mandej qeveritë në vijim të Kurtit dhe Hotit, kanë vendosur që ta ngrejë “Minierën e Re”, në drejtimin e gabuar në fushën e qymyrit në Veri N1, e jo në Fushën Jug.

Ky është një vendim me dëm të madh ekonomik për buxhetin dhe qytetarët sepse rezultatet e studimeve të tre kompanive të përfshirja tregojnë përparësitë e padiskutueshme të fushës së Jugut ku:

-Mbi 90% e tokës në fushën e Jugut është tokë e KEK-ut

-KEK-u ka Licencë operimi për 332 ha;

-Nuk ka mundësi të ndërtimit në këtë sipërfaqe

-Fusha  me 580 milion tonë qymyr, ka kualitet më të lartë për 6-10%, se sa dy fushat tjera;

-Trashësia e qymyrit 60-75 m,

-Nuk ka degradim të florës e të faunës

-Ka siguri të lartë operimi, pasi zona është aset i KEK-ut

-Ulë koston e operimit, e shumë tregues të tjerë të favorshëm, e që janë determinues për një zhvillim të qëndrueshëm të minierës, të KEK-ut dhe, përgjithësisht, sektorit të energjisë në Kosovë.

Ndërsa, zhvillimi i minierës në fushën kah Veriu për të cilën është marrë vendimi, paraqet;

-Dëmtim kolosal të rezervave minerare dhe perspektivës zhvillimore;

-Shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

-Dekurajim të investitorëve të jashtëm;

-Tarifa të larta të energjisë për konsumatorët;

-Pasiguri furnizimi me energji elektrike duke e futur Kosovën në varësi të plotë energjetike nga vendet e rajonit;

-Degradim enorm të mjedisit

-Kosovës do t’i shkaktonte probleme të mëdha me zhvendosjen;

-Do të ketë ndërprerjet e shpeshta të punimeve minerare, për shkak të problemeve me eksproprijim;

-Prona është 100% private (ku siç përflitet kudo e kanë blerë  njerëz të fuqishëm, prej fshatarëve të varfër), ku parashihet zhvendosja e një sipërfaqe të madhe të shtatë lagjeve të fshatit Sibovc, heqja e varrezave.

Fillimisht Qeveria Haradinaj ka marrë një vendim të parë të drejtë  që parasheh hulumtimet në fushën Jug.

Në pikat 2, 3 dhe 5 të Vendimit të parë të Qeverisë Haradinaj, thuhet “Nëse hulumtimet shtesë dëshmojnë rentabilitet të eksploatimit në Fushën Jug, obligohet KEK, që të krijoj kushte për hartimin e Planit Kryesor të xehetarisë, duke plotësuar kërkesat në përputhje me legjislacionin në fuqi në sektorin minerar”.

Dhe mbi bazën e rezultateve të shkëlqyera të hulumtimeve të cilat dolën do duhej që të shkohej në drejtim të  Fushës Jug, e cila ka përparësi të padiskutueshme.

Mirëpo vendimi i dytë i dëmshëm i qeverisë Haradinaj, së cilës ia ka mbajtur ison edhe qeveritë Kurti dhe Hoti, ka anuluar vendimin e parë dhe po shkon drejt Fushës Veri N1.

Sot ky vendim skandaloz po vihet në zbatim,  përkundrejt faktit se Vendimi është pa bazë ligjore, pa ekspertizë kërkimore dhe në kundërshtim me vendimin e Bordit të KEK-ut.

Ky vendim antiligjor i Qeverisë, e detyron KEK-un, që ta braktisë pronën e vet në fushën Jug dhe të filloj me shpronësimin e tokave në Fushën Veri N1, në formën patkoi, pasi nuk e përfshinë fshatin Hade, banorët e së cilës nuk deshën të shpronësohen e t’i shitnin tokat.

Sipas Raportit final të Kompanisë Mibrag, plani I blerjes së tokave në pronësi private, parasheh blerjen dhe zëvendësimin  e 692 banesave, dhe shpronësimin e blerjen e 1250 ha, me kusht që të ndërpritet menjëherë, çdo ndërtim e aktivitet i ngjashëm, në këto toka.

Për më tepër është parashikuar që dheu nga shpalosja e “Fushës N1-VERI”, do të vendoset mbi “Fushën JUG”, ku është mbi 90% në pronësi të KEK-ut. Ky veprim do të varroste dhe bënte të pamundur eksploatimin e mbi 1.1 miliard ton qymyr (po e përsëris: një miliard e njëqind milion ton qymyr), gjë që do të ishte një dëm kolosal në bilancin e rezervave minerare.

Braktisja e pronës publike dhe orientimi në prona private përbën një rast të pastër të korrupsionit.

Ky veprim që shkon kundër vendimit të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, rekomandimeve të institucioneve kërkimore dhe ekspertëve ka për të shkatërruar KEK-un dhe sektorin energjetik në përgjithësi.

Vlen të theksohet se pavarësisht ligjeve të Kosovës që përcaktojnë kushtet dhe çmimin e shpronësimit, zhvendosjen dhe zëvendësimin, ne kemi pasur praktikat e vitit 2017, ku qeveria asokohe në mënyrë abuzive I ka pesëfishuar vlerën, në raport me çmimet e tregut.

Po ashtu vendimi që është duke u vënë në jetë,  ka shkelur  gjithashtu parimet e ekonomisë së tregut të lire, të garantuar  me nenin 119 pika 1 e Kushtetutës.  Ky vendim ka eliminuar konkurrencën e lire, përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese dhe praktikave që e kufizojnë konkurrencën, duke e kthyer Kosovën prej ekonomisë së tregut të lire, në një ekonomi të centralizuar.

Ne I bëjmë thirrje Qeverisë që të marrë drejtimin e duhur për krijimin e “Minierës së RE” në Fushën  JUG, e mos të dëmtoj, në mënyrë të pariparueshme, resurset nacionale.

Në të kundërtën, nëse vazhdon kjo rrugë e nisur, provohet qarte se Qeveria  Hoti synon të vazhdojë një rrugë të abuzimit të parave të shtetit, përmes korrupsionit që, I cili do ti kushtojë qindra milionë euro qytetarëve taksapagues.