QUINT-i kërkon të kundërshtohen përpjekjet për zhbërjen e Speciales

Propozimi i presidentit Hashim Thaçi për amendamentimin e Kushtetutës lidhur me mandatin e Speciales është dërguar në Gjykatën Kushtetuese pranë Dhomave të Specializuara për vlerësim.

Një gjë të tillë e ka bërë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, përmes një kërkese drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Në kërkesën e siguruar nga KOHA, kryeparlamentarja Osmani ka kërkuar të dijë nëse propozimi i Thaçit zbeh ndonjërën nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kushtetutë.

Lidhur me Specialen gjatë të premtes kanë reaguar edhe ambasadorët nga vendet e QUINT-it.

Përmes një njoftimi, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Gjykatës Speciale.

Ata po ashtu kanë përshëndetur kërkesën e Vjosa Osmanit drejtuar kryetares Ekaterina Trendafilova.

Më 24 gusht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka proceduar në Kuvend propozim- amendamentimin e Kushtetutës, lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale.

Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Speciales do të zgjasë deri në njoftimin për një gjë të tillë nga Këshilli i Bashkimit Evropian, ndonëse një gjë e tillë që nga fillimi është e rregulluar me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.