Ismaili – Hotit: Mashtruat për njohje, negociuat për resurset tona dhe rrezikuat Kosovën

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në fjalën e tij në Kuvend ka thënë se kryeministri Hoti ka mashtruar qytetarët duke u nisur në SHBA për marrëveshje finale e duke mos e realizuar një të tillë.

Madje, Ismaili ka thënë se delegacioni i Kosovës që udhëtoi në SHBA, e i udhëhequr nga kryeministri Hoti, është delegacioni i parë që ka negociuar për resurset e vendit.

“Premtuat njohje. I bindur, në kufi të arrogancës. Por, i mbërthyer nga iluzionet e pushtetit, jo që nuk e arritët njohjen, por përkundrazi po e largoni Kosovën nga mundësia e njohjes”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se dialogu i Kryeministrit Hoti mund të ilustrohet me një vozitës që ka hyrë në një rreth-rrotullim dhe është i kënaqur me vetveten aq shumë saqë nuk i pengon që bën të njëjtën rrugë.

“Kjo shihet më së miri me temat që jeni duke i trajtuar. Të kaluara e të mbyllura, që nga koha e Edita Tahirit, ju po kaloni nëpër të njëjtat tema, e po i shqyrtoni si të reja.
Çdo rrotullim i juaji në rreth, po duartrokitet nga Serbia. Sepse, edhe ata po çuditen me çfarë lehtësie po jua lejon hapjen e temave të vjetra e të mbyllura. Kjo sjellje e juaja – në temat që janë konsideruar të mbyllura për Kosovën, është e rrezikshme”, ka shtuar Ismaili.

Uran Ismaili ka thënë se Qeveria Hoti, me ekipin masiv, e ka përkeqësuar dialogun, duke ia shtuar Kosovës edhe një problem tjetër – atë të kontestimit të pronësisë së pasurive natyrore të Kosovës.

“Është hera e parë në historinë e Republikës tonë që përfaqësuesit tanë shtetërorë negociojnë për resurset tona dhe që pasuritë tona të pazëvendësueshme i bëjnë objekte të pazareve me Serbinë. Shteti ynë deri tash ka zotëruar dhe menaxhuar i vetëm Ujmanin. Abdullah Hoti, me delegacionin e tij të madh, ka arritur që ta bëjë Serbinë bashkëpronare në arterien kryesore të ujit të Kosovës. Duke e bërë Serbinë hisedare të Ujmanit, Hoti ka hapur derën e kahmotshme të kërkesës së Serbisë – ndarjen e resurseve të Kosovës”, ka thënë Ismaili.

Më tej, Ismaili ka thënë se e keqja është se dobësimi i pozicionit të Kosovës në Dialog është bërë nga kapërcimet e pozicioneve të Kryeministrave Hoti dhe Kurti nga njëri pol në tjetrin. Pa strategji dhe pa platformë, të udhëhequr vetëm nga ambiciet e tyre politike.

“Zemërimi dhe Paranoja e Albin Kurtit u zëvendësua me Naivitetin e Abdullah Hotit. Një ekstremist politik u zëvendësua me një burokrat pa pushtet. Dhe kështu, shanset që populli i Kosovës ta ketë të garantuar njohjen, me një marrëveshje finale, humbën një nga një si rezultat i luftës së brendshme të partive politike që janë e që ishin në pushtet. Dje, me i rëndësishëm ishte dominimi i Albin Kurtit ndaj Agim Veliut sesa ndaj Marko Gjuriqit. E sot, më i rëndësishëm duket dominimin i Abdullah Hotit ndaj Vjosa Osmanit sesa ndaj Vucicit”, tha Ismaili.