Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi e sheh të rrezikshëm menaxhimin e përbashkët të Ujmanit me Serbinë kur nuk ka njohje të ndërsjellë.
Krasniqi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit.
Ai ka thënë se studimi i fizibilitetit nuk është ndonjë problem pasi sipas tij një gjë e tillë është bërë edhe më parë.
“Është shqetësuese që pas studimit të fizibilitetit Ujmani mund të ketë një bashkëpronësi e sidomos në kontekstin kur nuk kemi njohje…Pa njohje reciproke, gjithçka që negociohet me Serbinë është e rrezikshme”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Krasniqi thotë se është e rrezikshme që Ujmani të bashkëmenaxhohet pa njohje nga Serbia.
“Kjo do të hapte mundësi problematike për prona tjera brenda Kosovës e normalisht shqetësimi është te Trepça”.
Deputeti i PDK-së thotë se kjo parti i ka dhënë mbështetje të plotë kryeministrit Hoti në dialog për shkak të deklaratave të këtij të fundit.
“Kryeministri kishte deklaruar se po shkon në SHBA për ta marrë njohjen nga Serbia”.
Krasniqi thotë se shkuarje në Uashington me një delegacion të madh nuk ka lënë shije të mirë.
“Po të shkonin edhe përfaqësuesit e opozitës do të ishe edhe më problematik pasi atje do të bëhej luftë kush do të futej në takim e dikush tjetër do të bënte foto korridoreve”, tha ndër të tjera Memli Krasniqi.