Rrëfimi i gjilanasi të cilit babai i vdekur nga koronavirusi, u ‘zhduk’ në morgun e spitalit

Tetë ditë më parë, Fitim Leka, priste ta përcillte babanë e tij deri në varrezat e qytetit.

I njëjti do të varrosej në bazë të masave të vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës, për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Xhelal Leka, babai i Fitimit, kishte vdekur pasi nuk kishte arritur ta mundte infektimin me coronavirus.

Por siç rrëfen Fitim Leka, përjetimet e këqija ndodhën pas vdekjes së babait të tij.

Më 12 gusht, babai i Fitimit kishte vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus. Protokolli dhe vendimet e Qeverisë nuk lejojnë që familjarët ta bëjnë bartjen e kufomave, ndërsa për këtë punë është nënshkruar një marrëveshje me një kompani për transportin e viktimave dhe varrosjen e tyre.

Fitim Leka ka treguar për KALLXO.com se një ditë më pas ishin njoftuar se varrimi do të bëhej nga ora 17:00 ndërsa me disa intervenime ishte lejuar që në varrim të marrin pjesë edhe familjarët e ngushtë.

“Na kanë lajmëruar që në ora 17:00 është varrimi dhe se mund të merrnin pjesë vetëm rrethi i ngushtë familjar. Ne e pamë që trupi nuk është tu ardh dhe e kemi thirrë kompaninë që e ka marrë trupin e babës. Problemi kishte qenë te morgu, ne kemi rënë në kontakt me nëse nuk gaboj me përgjegjësin e morgut, ai ka thënë nuk kam kufomë në morg. Ne jemi detyru prapë me i thirr ata që e kanë marrë trupin e babës edhe me i vetë çka është puna, ku ka mbet kufoma. Ata djemtë na kanë tregu në cilën dhomë saktë gjendet brenda morgut dhe me çfarë numri. Krejt ky problem është zhvilluar për shkak se nuk kanë bërë asnjë lloj protokolli për kufoma brenda morgut”, rrëfen Leka.

Ai vazhdon rrëfimin duke thënë se trupi ishte gjetur pasi kishin insistuar familjarët që të kontrolloheshin dhomat.

“Pasi kemi insistuar që të shikojmë brenda morgut për trupin e babës, më në fund e kemi gjetur pra kishte qenë brenda morgut ndërsa zotnia, ai përgjegjësi, thojke nuk ka asnjë kufomë brenda morgut”, shton Leka.

Gjithashtu Leka tregoi edhe se kur kishin filluar problemet shëndetësore të babait të tij.

“Fillimisht ka qenë në dializë, më 1 korrik e kemi dërgu në këmbë të veta, qysh është më së miri. Kanë thirrë nga Dializa të njëjtën ditë na kanë thanë që nuk është mirë. Kemi shku e kemi marrë babën. Problemin e parë e ka pasur në Dializë. Me datë 5 ka pasë dyshime për COVID, e ka bërë testin dhe ka dalë që është pozitiv”, vazhdon të tregojë Leka.

Ai madje thotë se nuk e kishin kontrolluar infektologët.

“Prej datës 7 që i ka ardh rezultati deri më datën 12 kur ka vdekë, asnjë infektolog nuk e ka kontrollu. Kam kërku me kontrollu dhe nuk e kanë kontrollu”, thotë ai.

Leka tha edhe se në Spitalin Rajonal të Gjilanit nuk pati kushte trajtimi.

“Dy ditë para se me ndërru jetë e kam dërgu në Gjilan, nuk ka pasur oksigjen, dhe nuk kishte kush me kontrollu dhe e kam kthy në shtëpi”, tregoi Leka.

Në lidhje me pretendimet e Fitim Lekës, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Shëndetësisë.