Kryeministri urdhëron ndaljen e punimeve afër manastirit të Deçanit


Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se me kërkesë të kryeministrit  Avdullah Hoti, Ambasadave të huaja në vend dhe KFOR’it janë pezulluar përkohësisht punimet në rrugën Deçan-Plavë.

‘Mbrëmë në orët e vona ne kemi vendos sipas kërkesës së kryeministrit Hoti që me i pezulluar punimet dhe po ashtu sot në orën 13:00 i kemi pezulluar këto punime edhe me insistimin e shumë ambasadave dhe të gjeneralit të KFOR’it me qëllim që me jep një hapësirë kohore deri ditën e hënë ku më kanë premtuar se do e zgjidhin këtë kontekst”, tha Ramosaj për Televizionin 7 duke treguar se punimet do të rifillojnë në fillim të javës së ardhshme.

Një kërkesë të tillë për pezullim pune, Ramosaj thotë ta ketë pritur për shkak të takimit të 2 shtatorit në Washinton.

“Kjo ka qenë e pritshme nga ana ime për shkak se sa herë që shteti ynë është përballë me ndonjë mbledhje të rëndësishme, zëri i Manastirit dhe i akterëve të Manastiruit ka qenë po i njëjti. Ka qenë komplet e kalkulume sidomos pasi e kanë marrë vesh se më datën 2 shtator do të jetë dialogu në Shtëpinë e Bardhë ku Kosova do të jetë prezentë”, theksoi ai.

Kërkesat e tilla për pezullim janë të papranueshme për të parin e komunës së Deçanit. Tha se zhvillimi ekonomik vetëm ndikon pozitivisht edhe në trashëgiminë kulturore.