Së paku shtatë persona janë lënduar pasi një veturë goditi një turmë njerëzish afër një stacioni të trenit në Berlin.
Raportohet se një person është bllokuar nën veturën e tipit Mercedes GLK me ngjyrë të zezë pasi vozitësi i dyshuar e drejtoi atë nga këmbësorët në Hardenbergplatz, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Rreth 55 zjarrfikës shkuan në vendin e ngjarjes pas incidentit që ndodhi rreth orës shtatë të mëngjesit. Aty arritën edhe policët me qen nuhatës për gjetjen e mundshme të ndonjë mjeti shpërthyes.
Autoritetet njoftuan se tre persona kanë pësuar lëndime serioze nga goditja me veturë. Dy helikopterë janë përdorur për të ofruar ndihmë për të lënduarit.
Vozitësi i veturës është arrestuar në vendin e ngjarjes. Një zëdhënës i policisë tha se besohet që vozitësi e ka humbur kontrollin përderisa kthehej majtas me shpejtësi të madhe.
Deri më tani nuk ka dëshmi se goditja me veturë ka qenë e motivuar në aspektin politik apo religjioz. Policia është duke e hetuar rastin.