Hoti: Enver Zymberi ra në krye të detyrës për të ruajtur rendin kushtetues

Policia e Kosovës për nder të kujtimit të veprës heroike të zyrtarit policor Enver Zymberi, ka organizuar ceremoninë e nderimit dhe homazheve pranë lapidarit të heroit Zymberi në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Homazhe bëri edhe kryeministri i vendit Avdullah Hoti, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, njofton Klan Kosova

Në ceremoni morën pjesë edhe familjarë të heroit Enver Zymberi të cilëve kryeministri Hoti u shprehi mirënjohjen më të lartë për veprën e policit Zymberi.

“Kam ardhur për të bërë nderime për Enver Zymberin i rënë në krye të detyrës, ai ra për të ruajtur rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit përfshi Kushtetutën dhe ligjin në çdo cep të territorit të Kosovës”.

“Ne e nderojmë atë dhe familjen e tij dhe të gjithë oficerët që kanë rënë në krye të detyrës dhe që po bëjnë punën e tyre dhe u jam mirënjohës të gjithëve”, deklaroi Hoti.

Kujtojmë se dje janë bërë nëntë vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato. Por ROSU hasi në pengesat e serbëve në Veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.