314 pacientë me koronavirus në spitale, 13 në gjendje kritike

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në Spitalet Rajonale janë duke u trajtuar 314 pacientë, të cilët janë të infektuar me koronavirus, nga të cilët 13 janë në gjendje kritike.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar  të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi gjatë konferencës për medie ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen e pacientëve të infektuar me COVID-19, të cilët janë të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe ata nëpër Spitalet e Përgjithshme në qyteteve tjera.

“Sot nëpër Klinikat COVID të QKUK-së dhe nëpër Spitalet Rajonale janë 494 raste të konfirmuara ose të dyshuara për COVID-19, prej të cilëve tashmë janë 314 raste të konfirmuara me COVID-19. 177 janë nëpër klinikat në QKUK, kurse 137 të tjerë janë të shtrirë në spitale regjionale, prej numrit total kemi 13 pacient në ventilim mekanik, të intubuar, në gjendje kritike, ndërkaq 23 pacient të tjerë me metodë jo-invazive të ventilimit mekanik”, tha Krasniqi gjatë konferencës për medie.