Më shumë se 300 mjekë në Kosovë llogariten të jenë papunë, prej të cilëve sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 60 për qind e tyre mendojnë largimin nga Kosova.
Në mesin e tyre, sipas kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu, bëjnë pjesë edhe shumë specialistë, të cilët në pamundësi ta gjejnë një vend pune, të ardhmen e tyre e shohin jashtë Kosovës.
Teksa ka folur për këtë dukuri, Sejdiu u ndal te specializimet e mjekëve, duke shtuar se nëse ky proces dështon sa i përket 100 mjekëve atëherë e vetmja alternativë e tyre do të jetë kërkimi për një vend punë në vendet e Evropës.
“Mendoj që deri në këtë moment janë 300 mjekë të cilët janë specialist të rinj dhe mjekë të punësuar dhe të papunë të cilët vetëm se kanë kërkuar apo janë larguar. Rreth 60 për qind e mjekëve mendojnë që në hapjen e parë të portave presim që 300 deri në 400 mjekë të na largohen. Tash me këtë konkursin që e ka bërë Ministria e Shëndetësisë për punësim të përkohshëm me iu ardhur në ndihmë sa i përket kapaciteteve të cilat i kemi të limituara dhe ka nevojë për mbështetje dhe një pjesë e punës së mjekëve mund të monitorohet”, u shpreh ai për EO.
“Çështja e pagesës ka qenë problem i tretë, mirëpo të tjerat kanë qenë kushtet dhe specializimet. Nëse hapen specializimet dhe nëse ai proces do të jetë i drejtë atëherë do të ketë shpresë që të pranohen. Por nëse ky proces dështon sa i përket 100 mjekëve atëherë është punë e kryer dhe ne do ti humbasim këta mjekë të rinj”, shtoi Sejdiu.
Sejdiu ka folur edhe për pandeminë, teksa thotë se me rritjen e numrit të mjekëve të infektuar në Klinikën Infektive, është shtuar edhe lodhja e tyre, të cilët për muaj të tërë kanë qenë në vijën e parë të frontit.
Mirëpo sipas Sejdiut, tashmë niveli i infektimit ka hyrë brenda personelit mjekësor dhe është e pamundur të evitohet.